Plas te Real Madrid, akuza ndaj trajnerit Arbeloa: Nuk e aktivizon për hakmarrje

26 Prill 2026, 20:17Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arbeloa

Real Madrid ndodhet në një periudhë jo të mirë, jo vetëm për rezultatet në fushë (eliminimi në Champions League dhe titulli në La Liga tashmë në duart e Barcelonës), por edhe për menaxhimin e brendshëm të skuadrës. Në qendër të polemikave ka përfunduar sërish trajneri i “Los Blancos”, Alvaro Arbeloa, ndaj të cilit janë ngritur akuza shumë të rënda nga një figurë e njohur e futbollit spanjoll, ish-portieri Santiago Cañizares. Sipas këtij të fundit, që kur Arbeloa është bërë trajner i madrilenëve, minutazhi i një lojtari në veçanti është reduktuar ndjeshëm. Arsyeja? Mosmarrëveshje, rivalitete të vjetra në fushë dhe një lloj hakmarrjeje…

Rasti Carvajal: një kapiten në hije

Që kur Arbeloa mori drejtimin e Real Madrid në janar, Carvajal ka luajtur shumë pak, diçka që shumëkush e konsideron të pamjaftueshme për një lojtar të nivelit të tij. Në Champions League ka katër paraqitje nga tetë të mundshme, kryesisht si zëvendësues. Në Kupën e Mbretit vetëm një ndeshje, e cila rezultoi zhgënjyese kundër Albacete. Ndërsa në La Liga, nga 15 ndeshje ka luajtur vetëm shtatë, katër prej tyre si titullar. Në të fundit ndaj Betis ka qëndruar në stol për të gjithë takimin.

Për shumëkënd, rrënjët e këtij tensioni kthehen te sezoni 2013/14, kur Carvajal, atëherë i ri i mori vendin e titullarit teknikut aktual Arbeloa, në atë kohë lojtar nën drejtimin e italianit Carlo Ancelotti. Tensioni mes tyre duket se nuk është zhdukur kurrë plotësisht. Disa media spanjolle sugjerojnë se trajneri aktual po shfrytëzon pozicionin e tij për t’u hakmarrë, një akuzë që vetë Arbeloa e ka cilësuar si të pabazë.

Akuza e Canizares: një histori hakmarrjesh futbolli

Santiago Canizares, sot analist dhe ish-portier i Valencia dhe Real Madrid, ka ndezur debatin: “Problemi është se Carvajal është ai që i dha fund kohës së Alvaro Arbeloa si lojtar te Real Madrid. Kur dikush vjen dhe të merr vendin, ti e sheh si diçka të padrejtë”. Canizares e krahason situatën me një përvojë personale te Valencia me Quique Sánchez Flores dhe Amedeo Carboni, duke theksuar se si marrëdhëniet e pushtetit mund të ndikojnë në dinamikat e skuadrës.

Përgjigjja e teknikut Arbeloa

Në përgjigje të akuzave, Arbeloa ka folur në konferencë për shtyp: “Po përpiqen të më atribuojnë një rol të pajustifikuar në lidhje me Carvajal. Kushdo që mendon se unë zgjedh formacionin për arsye personale është dikush që do ta bënte vetë i pari”. Arbeloa këmbëngul se vendimet e tij bazohen vetëm në kritere sportive dhe jo personale.

Klimë e tensionuar

Situata mbetet delikate, me tifozët të ndarë mes atyre që mbështesin Carvajal dhe atyre që besojnë te Arbeloa. Real Madrid ndodhet në një moment ku kërkohet unitet, në një sezon që pritet të mbyllet pa trofe. Nëse “Los Blancos” duan ta përfundojnë sezonin në mënyrë pozitive, çështja Carvajal duhet menaxhuar me kujdes: sa e vërtetë është kjo histori xhelozish dhe hakmarrjesh?


Video