Real Madridi ka marrë një lajm shumë të keq në një moment vendimtar të sezonit. Dy lojtarë të rëndësishëm të skuadrës, Arda Guler dhe Eder Militoo kanë mbyllur sezonin, duke humbur kështu pjesën e mbetur të kampionatit për shkak dëmtimesh muskulore në zonën e kofshës.
Talenti turk u detyrua të qëndrojë jashtë grupit dhe të punojë individualisht në palestër, pasi ndjeu dhimbje muskulore në kofshë në seancën stërvitore të radhës në prag të ndeshjes kundër Betis.
Pas shqetësimeve të para, stafi mjekësor i klubit kreu ekzaminime të detajuara, të cilat konfirmuan diagnozën, një dëmtim në kofshën e këmbës së djathtë.
Ky problem e detyron lojtarin të mbyllë sezonin para kohe, duke i dhënë një goditje të madhe planeve të trajnerit për rotacionin e mesfushës dhe fazën sulmuese.
Edhe mbrojtësi brazilian Eder Militao ka pësuar një fat të ngjashëm. Ai iu nënshtrua një rezonance magnetike pas një problemi që ndjeu në ndeshjen kundër Alaves, ku u detyrua të largohej nga fusha pak para përfundimit të pjesës së parë.
Situata e tij u konsiderua më pak shqetësuese, por rezultatet përfundimtare të analizave treguan një dëmtim muskulor në kofshën e majtë. Edhe për të, stafi mjekësor ka konfirmuar se nuk do të ketë rikthim deri në fund të sezonit.
Me dy mungesa të mëdha si Guler dhe Militao, Real Madridi përballet me një sfidë serioze në fund të sezonit, ku çdo ndeshje mund të ketë ndikim të madh në objektivat e ekipit.