Këtë të diel, ka hapur fushatën elektorale Partia Mundësia. Kreu i kësaj force politike Agron Shehaj theksoi në Pallatin e Kongreseve se ajo ide që lindi me 10 persona, sot numëron qindra mijëra mbështetës në gjithë Shqipërinë.
“Nuk ka dyshim se ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, por sot ne mund dhe duhet të ndryshojmë të ardhmen. Në fillim ishim 10 vetë me një ide që dukej e çmendur. Shiko sa shumë jemi në këtë sallë, me qindra mijëra në gjithë Shqipërinë!”, tha Shehaj.
Shtoi se kjo parti e ka planin të qartë, me një luftë frontale ndaj korrupsionit dhe përmirësimin radikal të klimës së biznesit.
“Një shtet që nuk rëndon mbi qytetarët, i jep mundësinë çdo individi të lulëzojë. Një shqiptar i lumtur është një shqiptar i pasur dhe i lirë. Lufta kundër korrupsionit është jetike. Drejtësia është shtylla kryesore e shoqërisë, rritja ekonomike çelësi i zgjidhjes së problemeve.”
Tha se mbështetja ndaj SPAK do të jetë absolute, në mënyrë që të vijohet me ndëshkimin e kujtdo që është përfshirë në korrupsion. “Ne jemi opozita e vërtetë, e sistemit! Ne jemi e vetmja opozitë e vërtetë”, tha Shehaj.
Shehaj bëri edhe një zotim. Ai premtoi se në rast se merr fitoren më 11 Maj, përpos një sërë objektivash në të mirë të qytetarëve, do shembë fytyrën e korrupsionit. Kjo e fundit, për Shehajn, është ndërtesa 20 katëshe në qendër të Tiranës e cila është modeluar si koka e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Por për Shehajn, ajo ndërtesë përfaqëson kryeministrin, të cilin nuk heziton ta krahasojë me një diktator.
“Edhe unë kam diçka për të shembur, fytyrën e korrupsionit që Edi Rama ka ndërtuar në mes të Tiranës. Ajo është fytyra e korrupsionit, çdo herë që do e shikoni ajo është fytyra e vjedhjes! Ka vendosur veten e vet në mes të Tiranës si një diktator, autokrat banal siç është! Nuk ka koncesion pa firmën e tij, tender të dyshimtë pa miratimin e tij. Nuk ka drejtësi nëse nuk del ai para drejtësisë!”, deklaroi Shehaj.
Jo më larg se sot, kreu i qeverisë ndau foton e tij përballë ndërtesës në fjalë, e modifikuar në mënyrë të tillë që dukej sikur “po përshëndeteshin”. “VOTO 5 që së bashku ta bëjmë Shqipërinë 2030 zonjë të Familjes së Bashkuar Europiane”, shkruante Rama.
