Në takimin e tij me shqiptarët në Milano, kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me objektivin kryesor të socialistëve që është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. U bëri apel duke thënë se çdo votë më 11 Maj shkon për t’i dhënë vendit tonë shansin historik.
“Fati ynë ishte, fati i shqiptarëve e deshi të na sillte në një zgjedhje që është si përballje përfundimtare me historinë tonë duke na dhënë ne shansin që me një votë t’ia ndryshojmë përgjithmonë rrjedhën historisë. Një votë për të bërë histori! Për të shënuar veten në histori secili dhe secila që do e investojnë votën për atë që ne sëbashku duam të arrijmë. Këto zgjedhje janë tamam si një udhëkryq, si një votim politik për partinë që do qeverisë për 4 vite dhe një votim historik përtej partive. Kjo është e përpjeta e fundit e Shqipërisë drejt Europës dhe fundi i historisë sonë jashtë Europës, para nesh kemi vetëm një datë, 11 Majin! Pastaj kemi vetëm një mandat, për të fituar bastin historik. Kjo është dekada e ardhjes së fatit europian të Shqipërisë në dorën tonë që kur dolëm nga ferri komunist dhe BE na ka vënë përpara një plan të dakordësuar që ne të mbyllim të gjithë marrëveshjen e anëtarësimit. Ne me duart tona do t’i japim fund historisë së një populli të trajtuar si një popull i dorës së dytë”, tha Rama.
“Sot është dita e shqiptarëve. Shqiptarët sot janë më mirë se ç’kanë qenë kurrë më parë në historinë e tyre në aspektin e pozicionit dhe figurës ndërkombëtarisht. Sot është dita e shqiptarëve dhe ky është muaji i ndarë mes prillit dhe majit dhe kjo është dekada e fatit europian të Shqipërisë që kur dolëm nga ferri komunist.
Tani, situata e përgjithshme edhe këtu në Itali është e turbullt. Gjëmimet e luftës dhe rrëmuja e përgjithshme paralajmërojnë kohë të vështira. Tani nuk mund ta humbasim këtë shans. Nuk mund ta humbasim as për mustaqet e Kujtim e Gjuzit. As për hallin personal të bufit të Kënetës që fshihet nën mustaqet e Kujtim Gjuzit. Sot është dita ku çdo shqiptar dhe që do tu lërë fëmijëve të vet diçka të madhe, diçka që ju mungon, është mundësia për ta bërë realitet”, theksoi Rama.
“Ajo pasaportë është njohje automatike e pensioneve, e çdo dite pune e çdo të drejte që kanë italianët dhe gjithë qytetarët e BE-së. Me atë pasaportë do hyni dhe dilni kudo njësoj si italianët dhe askush nuk iu thotë ku po shkon, ku e ke lejen.
Po ju them ju keni bërë shumë dhe sakrifikoni çdo ditë por nuk mund të bëni fëmijëve tuaj asgjë më të paharrueshme se një votë që në fund të kësaj dekade ju jep pasaportën e BE-së në 2030. Ju jepni jo vetëm dinjitet por edhe liri që ndryshe nuk e kanë dot. Ju jepni lirinë që të lëvizin si kudo, që të mos jenë studentë të huaj por studentë të BE-së. Dhe kur të kërkojnë punë të kenë të njëjtën akses si studentët evropianë”, tha ndër të tjera Rama.