Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka ironizuar Edi Ramën për “pjesëmarrjen e ulët” gjatë çeljes së fushatës elektorale të PS-së ditën e sotme në sheshin “Skënderbej”.
Berisha tha gjatë mbledhjes së Konventës së Partisë Demokratike, ku u prezantua programi i kësaj force politike, se Ramën e “ka braktisur e gjithë Shqipëria” dhe se sheshi i mitingut të PS-së “ishte bosh”.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mos i përdor këta emra, se me asgjë nuk mbulon dot vjedhjet e tyre.
Edi Rama, populli të ka braktisur. Shqipëria dhe bota e pa sheshin bosh.
Shqipëria dhe bota i pa përsëri ministret e tua me lukse dhe superluks, me aksesorë dhjetëra mijëra euroshe teksa gëzonin luksin e tyre.
Kurse ti nuk the asnjë fjalë për qytetarin, për të rinjtë, për pensionistët, për të sëmurët, për shqiptarët.
U përpoqe të joshësh shqiptarët me mirëqenien e Europës.
Në fakt edhe me pasaportën evropiane, nuk kërkon gjë tjetër veçse të mbulosh plaçkitjen që u ke bërë shqiptarëve.
Ai foli sot për paratë që do marrë nga BE, por nuk tha se ku janë paratë që ai ka marrë nga ju, që i ka vjedhur nga ju.