Lufta në Lindjen e Mesme, anulohet “Finalissima”, nuk ka përballje Yamal-Messi

15 Mars 2026, 15:47Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Anulohet “Finalissima”, nuk ka përballje Yamal-Messi

Bota e futbollit nuk do ta shohë përballjen e shumëpritur mes Lamine Yamal dhe Lionel Messi-t, pasi UEFA ka njoftuar zyrtarisht anulimin e “Finalissima“.

Bisedimet mes UEFA-s dhe Federatës Argjentinase të Futbollit kanë dështuar, pasi nuk u gjet një akord për datën dhe vendin e zhvillimit të takimit. Fillimisht ishte planifikuar që ndeshja të luhej në Katar, por situata e pasigurt në Lindjen e Mesme detyroi kërkimin e një alternative tjetër.

Propozimi i UEFA-s për ta zhvilluar ndeshjen në “Santiago Bernabeu” nuk u pranua nga kampi argjentinas, ashtu siç u refuzua edhe ideja e një përballjeje me dy takime në Madrid dhe Buenos Aires.

UEFA shpjegoi se bëri çdo përpjekje për të bindur Argjentinën, duke ofruar edhe opsionin e një fushe neutrale në fund të marsit, por pa sukses.

Propozimi i vetëm i Argjentinës ishte zhvillimi i finales pas Botërorit, datë e cila ishte e pamundur për t’u pranuar nga Spanja për shkak të kalendarit të ngjeshur. Në njoftimin zyrtar, UEFA nuk i kurseu kritikat ndaj palës argjentinase, ndërsa falënderoi vetëm Federatën Spanjolle për bashkëpunimin.

Ky vendim mbyll përfundimisht mundësinë e sfidës mes kampionëve të Euro 2024 dhe atyre të Copa América për këtë edicion.


Video