Llogaritë për titullin në Itali: Sa pikë i mungojnë Interit dhe kur mund të vijë festa

7 Prill 2026, 17:21Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Inter 72 pikë, Napoli 65. Java e 31-të e kampionatit, falë fitores (dhe parakalimit) të napolitanëve ndaj Milanit, e ka shtyrë skuadrën e Chivut drejt titullit. Me 7 javë nga fundi i Serie A, 7 pikët avantazh të zikaltërve (që vijnë pas suksesit ndaj Romës) ende nuk mjaftojnë për të pasur sigurinë matematike të titullit.

Sa pikë mungojnë ende dhe kur mund të vijë fitorja aritmetike e trengjyrëshit?

Duke bërë llogaritë, zikaltërve u duhen edhe 15 pikë, rezultat i 5 fitoreve në 5 ndeshjet e ardhshme. Ose edhe më pak, nëse kampanët hasin rezultate negative. Duke supozuar se skuadra e Contes mban të njëjtin ritëm rezultatesh, 10 maji, në rastin e transfertës në “Olimpico” ndaj Lazios (java e 36-të), mund të jetë data fatidike sepse Inter mund të qepë zyrtarisht stemën e kampionit në fanellë. Me 180 minuta nga fundi i kampionatit, pasi të arrinte kuotën e 87 pikëve, Napoli nuk do të kishte më asnjë mundësi për të fshirë diferencën nga kreu.

Po Napoli, sa shpresa ka ende?

Në letër ka ende disa, të paktën derisa matematika ta lejojë. Por nuk e ka fatin në duart e veta, sepse duhet të shpresojë në më shumë se një hap fals të Inter për të imagjinuar një kapje dhe përmbysje në krye. Edhe duke i fituar të gjitha ndeshjet, kuota maksimale e titullit që mund të arrijnë të kaltrit është 86 pikë. Çfarë do të thotë kjo? Që Inter në 7 javët e ardhshme nuk duhet të marrë më shumë se 13 pikë dhe të ndalet në kuotën 85. Në teori është e mundur. Pastaj është realiteti i fushës dhe i rezultateve, që është krejt tjetër gjë.

Ekziston edhe një tjetër skenar: mbërritja me pikë të barabarta. Në atë rast, fituesin e titullit nuk do ta përcaktojnë përballjet direkte apo ndonjë kriter tjetër për të përcaktuar renditjen, por një ndeshje “spareggio”. Interi dhe Napoli do ta luanin titullin në 90 minuta.

Kalendari i Inter e Napolit në sprintin për titullin

Como, Cagliari, Torino, Parma, Lazio, Verona dhe Bologna janë kundërshtarët e ardhshëm të Interit, që do të luajë 4 nga 7 ndeshjet e mbetura në transfertë. Dhe përshtypja është se, nëse kalon pa dëme (akoma më mirë, me fitore) sfidën buzë liqenit ndaj skuadrës së Fabregasit, rruga drejt titullit bëhet e zbritshme.

Kalendari i Inter

Java e 32-të: Como-Inter (Serie A)

Java e 33-të: Inter-Cagliari

Java e 34-të: Torino-Inter

Java e 35-të: Inter-Parma

Java e 36-të: Lazio-Inter

Java e 37-të: Inter-Verona

Java e 38-të: Bologna-Inter

Parma, Lazio, Cremonese, Como, Bologna, Pisa dhe Udinese janë kundërshtarët e Napolit, që do të luajë në “Maradona” 4 nga 7 sfidat e mbetura deri në fund të Serie A. Skuadra e Contes ka vetëm një rrugë: duhet t’i fitojë të gjitha ose, madje, të përfitojë nga një katastrofë absolute e rezultateve të Interit për të realizuar mrekullinë e titullit.

Kalendari i Napolit

Java e 32-të: Parma-Napoli

Java e 33-të: Napoli-Lazio

Java e 34-të: Napoli-Cremonese

Java e 35-të: Como-Napoli

Java e 36-të: Napoli-Bologna

Java e 37-të: Pisa-Napoli

Java e 38-të: Napoli-Udinese

Kush e fiton titullin mes Inter e Napolit në rast të barazimit me pikë

Napoli është në avantazh në përballjet direkte me Interin: ka barazuar 2-2 në “San Siro” dhe ka fituar 3-1 në “Maradona”. Megjithatë, sipas rregullores, ky fakt nuk ka më asnjë rëndësi në rast se skuadrat mbërrijnë me pikë të barabarta në fund të kampionatit. Titullin do ta fitojë skuadra që triumfon në “spareggio”, që do të luhet me një ndeshje teke, në fushën e skuadrës së renditur më mirë (në këtë rast do të ishte Napoli). Nëse barazia vazhdon edhe pas 90 minutave, nuk do të ketë kohë shtesë, por do të gjuhet menjëherë seria e penalltive.


Video