Ndeshjet e javës së 28-të në Bundesligën gjermane prodhuan “lumë” golash të shënuar.
Bayern Munich triumfoi 3-2 ndaj Freiburg, falë një përmbysje të çmendur në minutat e fundit.
Vendasit po fitonin 2-0 deri në minutën e 81-të, kur Bischof ngushtoi shifrat në 2-1. Ishte sërish mesfushori 20-vjeçar, i cili në minutën e 92-të, barazoi shifrat për bavarezët.
Përmbysjen e kompletoi një tjetër talent. Lennart Karl shënoi të tretin për miqtë në minutën e 99-të.
Me këtë fitore, Bayern Munich shkëputet në krye me 73 pikë, plot 12 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt.
Në ndeshjet e tjera, Hoffenheim u mposht 2-1 në shtëpi nga Mainz. Për vendasit, nuk mjaftoi supergoli i shënuar nga Fisnik Asllani në minutën e 23-të.
Leverkusen triumfoi 6-3 ndaj Wolfsburg, në një ndeshje me të vërtetë spektakolare. Leipzig mposhti Werder Bremen me vështirësi, me rezultatin 2-1. Hamburg barazoi 1-1 ndaj Augsburg, ndërsa u ndanë pikët edhe në Borussia Monchengladbach-Heidenheim, që u mbyll 2-2.