Mesfushori i Barcelonës, Fermin Lopez, do të humbasë Botërorin pas një dëmtimi të pësuar në ndeshjen kundër Real Betis. Lojtari mori një goditje në këmbën e djathtë, e cila e detyroi të linte fushën pas pjesës së parë. Ekzaminimet mjekësore të kryera konfirmuan një frakturë në gisht, duke bërë të domosdoshme ndërhyrjen kirurgjikale, e cila pritet të realizohet menjëherë.
Fraktura që gishtin e vogël me kyçin e këmbës, shpesh shkaktohet nga goditjet e vazhdueshme ose ngarkesa e lartë e ndeshjeve. Për shkak të këtij dëmtimi dhe procesit të rikuperimit pas operacionit, periudha e qëndrimit jashtë fushave do të jetë të paktën dy muaj.
Ky dëmtim vjen në një moment kritik, pasi trajneri i kombëtares spanjolle, Luis de la Fuente, do të shpallë listën e lojtarëve të ftuar më 25 maj.
Spanja do të debutojë në Botëror më 15 qershor kundër Kepit të Gjelbër në Atlanta, vetëm katër javë pas dëmtimit të lojtarit, duke e bërë të pamundur përfshirjen e tij në turneun që përfundon më 19 korrik.
Mungesa e Lopez është një goditje për përfaqësuesen spanjolle, duke pasur parasysh rolin e tij kyç në sukseset e fundit. Futbollisti ishte pjesë e skuadrës që fitoi Kampionatin Europian në vitin 2024 dhe shkëlqeu në Lojërat Olimpike të Parisit, ku fitoi medaljen e artë dhe u shpall lojtari më i mirë i turneut me gjashtë gola të shënuar.