Chelsea është shumë pranë zyrtarizimit të trajnerit Xabi Alonso. Ish-tekniku i Real Madridit dhe Bayer Leverkusenit pritet të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare gjatë ditëve në vijim.
Drejtuesit e klubit ishin të vendosur për të gjetur zëvendësuesin e Liam Rosenior, i cili u shkarkua nga detyra muajin e kaluar. Ditët e fundit u raportua se Chelsea kishte kontaktuar disa kandidatë, ku përveç Alonsos, në listë bënin pjesë edhe Andoni Iraola, Marco Silva dhe Oliver Glasner. Megjithatë, ish-mesfushori ka dhënë dritën jeshile, duke arritur akordin me Chelsea.
Klubi londinez dëshironte që fillimisht të kalonte finalja e FA Cup kundër Manchester Cityt përpara se të bënte publik çdo vendim për emërimin e ri.
Negociatat kanë vijuar për disa javë dhe Alonso ka qenë i hapur për këtë sfidë, pasi mori disa garanci nga drejtuesit. Emri i spanjollit ishte lidhur edhe me një rikthim të mundshëm te Liverpool, ku presioni ndaj Arne Slot është rritur, por klubi nga “Anfield” duket se ka vendosur të konfirmojë teknikun aktual.
Xabi Alonso është i lirë që prej muajit janar, kur u largua nga stoli i Real Madridit pas më pak se tetë muajsh qëndrimi. Më herët në karrierën e tij, ai udhëhoqi Leverkusenin drejt titullit historik të Bundesligës pa asnjë humbje, si dhe drejt triumfit në Kupën e Gjermanisë.