Volejbolli shqiptar është hasur këto ditë me një ngjarje të padëgjuar më parë.
Volejbollistja e Dinamos, Nayara Ferreira, është pezulluar përkohësisht nga Federata pasi ka pasur ankesa për të nga klubet e Vllaznisë dhe Pogradecit në lidhje me gjininë e saj.
Sinjalizimet nga rivalët kanë bërë që klubit të Dinamos t'i kërkohet që të kryejë një 'test gjinie' për 32-vjeçaren.
Duket se braziliania nuk e ka pritur mirë këtë ndodhi, por së bashku me klubin i është drejtuar gjinekologut.
FSHV kërkon teste më të thelluara për të parë nëse më herët kemi të bëjmë me një ndërrim gjinie nga Nayara.
Volejbollistja braziliane është ankuar për diskriminim në shoqata për mbrojtjen e grave, por edhe te Ambasada Braziliane në Tiranë, pasi ndjehet e fyer.
Klubi kryeqytetas beson se Ferreira është paragjykuar për shkak të stilit të veshjes, ndërsa karriera e saj 16-vjeçare si volejbolliste profesioniste nuk lë vend për dyshime.
Për momentin nuk ka asnjë reagim publik nga palët, por të gjithë janë kapur në befasi nga një kërkesë e tillë.
Deri në daljen e analizave nuk pritet ndonjë reagim, por fakt është se deri në këto momente Nayara Ferreira është e pezulluar.
Edhe në ndeshjen e fituar dje nga Dinamo kundër Tiranës, Nayara Ferreira nuk ishte e gatshme.
Ndërkohë, në një reagim të FSHV-së thuhet se FSHV 'mbetet e angazhuar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent në çdo hap, në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare të volejbollit'.
Interesant është fakti se në njoftim, Federata e quan volejbollisten 'zonja (znj)', duke u munduar mos jetë diskriminuese me një rast shumë delikat për dinjitetin njerëzor.
Njoftimi i plotë i FSHV-së:
Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV)
Në lidhje me informacionet e publikuara në media lidhur me pezullimin e lojtares së ekipit të Dinamos, znj. Nayara Ferreira, Federata Shqiptare e Volejbollit dëshiron të sqarojë se aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar për të ndarë në këtë moment.
FSHV po vepron me kujdes dhe diskrecion, duke respektuar parimet e fair play-it, barazisë në lojë dhe dinjitetit njerëzor. Federata mbetet e angazhuar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent në çdo hap, në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare të volejbollit.
Për çdo zhvillim të mëtejshëm, publiku dhe media do të informohen përmes kanaleve zyrtare të FSHV-së.
Federata Shqiptare e Volejbollit