“Futet me këmbën lart ndaj Thuram, ishte për të kuq”, por Brahim Diaz falet nga arbitri ndaj Juventusit në “Bernabeu”

23 Tetor 2025, 18:29Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nderhyrja e Diaz ndaj Thuram

Episod i diskutueshëm në minutën e 61-të të ndeshjes mes Real Madrid dhe Juventus, e zhvilluar në “Santiago Bernabeu” për javën e tretë të fazës me grup të vetëm të Champions League 2025–2026. Vendimi i arbitrit Vincic për ndërhyrjen e Brahim Diaz ndaj Khephren Thuram, pak minuta pas golit të avantazhit të shënuar nga Jude Bellingham (që vendosi rezultatin përfundimtar në favor të skuadrës së Xabi Alonsos), ka ngritur shumë dyshime si te tifozët, ashtu edhe te analistët.

Ndërhyrja e Brahim Diaz ndaj Thuram në Real Madrid–Juventus

Ish-lojtari i Milanit u hodh në rrëshqitje ndaj futbollistit francez në përpjekje për t’ia rrëmbyer topin në mesfushë. Brahim Diaz hyri qartësisht me vonesë, me këmbën lart dhe me qepëzat e këpucës drejtuar drejt kyçit të lojtarit juventin, duke e goditur plotësisht, por pa e dëmtuar rëndë. Një ndërhyrje e rrezikshme, që mund t’i kishte shkaktuar një dëmtim serioz mesfushorit bardhezi.

Arbitri Slavko Vincic, i pozicionuar mirë dhe me pamje të qartë, zgjodhi kartonin e verdhë, për habinë e përgjithshme. Nuk pati asnjë thirrje nga VAR-i, edhe pse episodi dukej i denjë për rishikim për sjellje të dhunshme. Ajo që e shpëtoi 26-vjeçarin maroken ishte vlerësimi i bërë në fushë nga arbitri slloven, i cili, siç duket, e konsideroi intensitetin e kontaktit jo aq të lartë sa për ta ndëshkuar me karton të kuq.

“Ndërhyrje me këmbë të ngritur, ishte për të kuq”

Pamjet televizive tregojnë qartë rrezikshmërinë e përplasjes. Edhe Giampaolo Calvarese, analist i Prime Video, kritikoi vendimin e arbitrit: “Brahim Diaz rrezikoi shumë. Futet me këmbë të ngritur mbi kyç, sipas mendimit tim duhej të ishte karton i kuq,” — ishte komenti i menjëhershëm i ish-arbitrit italian gjatë transmetimit të ndeshjes nga “Bernabeu”.

Menjëherë pas episodit, Thuram mbeti i shtrirë në dhimbje dhe u zëvendësua pak minuta më vonë nga Conceicao, shenjë që goditja, edhe pse fatmirësisht jo e fortë nga lojtari i Realit, kishte lënë pasoja në kyçin e këmbës së mesfushorit francez.

Zemërimi i tifozëve të Juventus

Në rrjetet sociale shpërtheu reagimi i tifozëve bardhezi — dhe jo vetëm (edhe në Spanjë shumë e vunë në dukje butësinë e arbitrit ndaj Brahim Diaz) — të bindur se Real Madrid përfitoi nga një favor i qartë arbitrar: “Bën pjesë te ndyrësitë e zakonshme kundër Juventusit,” shkroi dikush. Të tjerë e akuzuan arbitrin për “butësi ndaj klubeve të mëdha” dhe theksuan se “në Madrid gjithçka lejohet”.

Kontrasti mes ashpërsisë me të cilën ndëshkohen faulle të ngjashme në ndeshje të tjera dhe lehtësisë së treguar në këtë rast ndezi polemikat. Për disa, episodi mund të ketë ndikuar edhe në ecurinë e ndeshjes, e përfunduar me fitoren 1–0 të Realit falë golit të Jude Bellingham.

Juventus largohet nga “Bernabeu” me keqardhje

Pavarësisht një ndeshjeje solide në aspektin e lojës, Juventusi i Tudor u kthye nga Madridi me një tjetër humbje dhe një seri prej shtatë ndeshjesh pa fitore — rekordi më negativ që nga viti 2009. Nga sfida e “Bernabeut” mbeten në kujtesë rastet e humbura nga sulmuesit bardhezi (veçanërisht ato të Vlahovic dhe Openda) dhe ndërhyrja e Brahim Diaz, që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.


Video