Anglia kërkon rekordin historik në Tiranë, Tuchel: Shqipëria e meritoi vendin e dytë, por ne do ta dominojmë ndeshjen

15 Nëntor 2025, 22:04Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tomas Tuchel

Anglia duket se nuk do të zbresë në fushë kundër Shqipërisë e relaksuar të dielën pasdite, edhe pse ka siguruar tashmë kualifikimin për në Kupën e Botës.

Nëse skuadra e Tomas Tuchel fiton dhe arrin të ruajë të paprekur portën, atëherë do të bëhet e para në Europë që luan 6 takime kualifikuese dhe i fiton pa pësuar gol,

Gjithashtu, një fitore kundër kuqezinjve, do ta fuste Anglinë në një grup shumë ekskluziv, me vetëm 3 skuadra të tjera, që kanë fituar të gjitha ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës. Më parë këtë e ka bërë Gjermania 2 herë, në kualifikueset e 1982 dhe 2018, si dhe Spanja e Holanda në kualifikueset e Botërorit 2010, ku më pas të dy skuadrat ishin finaliste.

Tuchel: Shqipëria e meritoi plotësisht vendin e dytë, por ne do ta dominojmë ndeshjen

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, debutoi në stolin e “3 Luanëve” pikërisht në ndeshjen e parë kualifikuese të Kupës së Botës, në Londër, më 21 mars të këtij viti, të fituar nga vendasit me rezultatin 2-0. Që prej asaj dite, Anglia ka dominuar grupin, duke i fituar të gjitha ndeshjet dhe duke mos pësuar asnjë gol.

“Kam mësuar shumë që prej atëherë, më është dashur të mësoj shumë sepse është ndryshe nga drejtimi i një klubi”, tha trajneri gjerman i anglezëve, Thomas Tuchel, në një konferencë për mediat në Tiranë një ditë para takimit Shqipëri-Angli.

“Të gjithë jemi rritur shumë bashkë. Duam të fitojmë sërish edhe kundër Shqipërisë, që është një skuadër e vështirë për t’u thyer. Në kualifikuese kanë pësuar vetëm 3 gola, 2 nga ne. Është e vështirë të shënosh kundër saj”.

I pyetur nëse e kishte menduar se Shqipëria do të arrinte e dyta në grup, Tuchel u përgjigj: “Pashë që Shqipëria dhe Serbia ishin shumë të pasionuara pas skuadrave të tyre, gjithmonë kanë pasur lojtarë të talentuar që luajnë në kampionatet e fortë dhe menduam që ishin dy skuadra që duheshin mundur. Tani shohim që Shqipëria e meritoi plotësisht vendin e dytë. Është shumë e vështirë të krijosh dhe të realizosh raste kundër tyre. Mendoj se ne do ta dominojmë ndeshjen”.

“Shqipëria e fortë kundërsulme, Brojën e njoh shumë mirë”

Tuchel vlerësoi maksimalisht kuqezinjtë, duke thënë se janë të fortë në kundërsulme.

Ai foli edhe për Armando Brojën, për të cilin u shpreh se e njeh shumë mirë, nga koha te Chelsea dhe shtoi se pret të luajë në krahun e djathtë.

“Ata janë shumë të fortë në kundërsulme, janë shumë fleksibël në mesfushë, ndryshojnë shumë pozicione, të cilat do të jenë mjaft të vështira për t’u mbrojtur. Atyre u pëlqen të sulmojnë në të djathtë me shumë shpejtësi dhe krosime të rrezikshme.

E dimë që një portë e paprekur mund të thyhet gjithmonë në futboll. Brojën e njoh shumë mirë sepse ishte lojtari im te Chelsea. Ai luan rregullisht për Shqipërinë dhe kryesisht në krahun e djathtë, ku e presim nesër. Ai sjell thellësi dhe shpejtësi, është i rrezikshëm sepse gjithmonë mendon për të shënuar. Shpresoj të kemi zgjidhje për ta mbrojtur atë.

Në përgjithësi shpresoj që etja jonë për të fituar dhe për të arritur diçka të jetë më e madhe se frika e humbjes dhe frika e humbjes së portës së paprekur. Nuk duhet të përqendrohemi shumë në këtë, duhet të jemi më të emocionuar për mundësinë e radhës për të treguar cilësinë tonë”, u shpreh Tuchel.

Kane: Jemi shumë të motivuar

“E di që jemi kualifikuar dhe Shqipëria është një playoff, por ende nuk kemi pësuar gol dhe mendoj se është motivim i madh. Do të ishte speciale të mbyllnim kualifikueset pa pësuar gol”, tha kapiteni i Anglisë, Harry Kane, në një konferencë për mediat në Tiranë. “Gjithashtu duam të tregojmë nivelin tonë më të mirë dhe nëse e bëjmë, mendojmë se mund të mposhtim këdo në botë, nuk ka rëndësi kundërshtari që kemi përpara”.

Vetë Kane është duke kaluar një sezon të shkëlqyer me Bayern Munchen, diçka që do ta vërë në shërbim të Kombëtares së “3 Luanëve”. “Deri tani gjithçka ka shkuar mirë. Kjo është ndeshja e fundit për këtë vit me fanellën e Anglisë dhe është e rëndësishme të fitojmë”, shtoi ai.

Sfida e madhe do të nisë në orën 18:00, në stadiumin kombëtar “Air Albania”.  


Video