Gjimshiti: Nuk ka pësuar asnjë gol deri tani, pse të mos jemi ne të parët që t’i shënojmë gol Anglisë

15 Nëntor 2025, 17:53Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berat Gjimshiti

Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, tha se Shqipëria mund të provojë të bëhet skuadra e parë që i shënon gol Anglisë në kualifikueset e Kupës së Botës, kur të përballen të dielën në “Air Albania”.

“E rëndësishme është që ne të luajmë mirë dhe meqë Anglia nuk ka pësuar asnjë gol deri tani, pse jo, të mos jemi ne të parët që t’i shënojmë”, tha kapiteni në konferencë për mediat.

“Do të jetë një ndeshje si të gjitha në kualifikuese. Do të futemi në fushë dhe do të japim maksimumin. E kemi arritur “play off”, por është një ndeshje e rëndësishme. Do të japim gjithçka në fushë për të vënë në vështirësi kundërshtarin.

Statistikat nuk i di. Unë mendoj ndeshje pas ndeshje. Është e mirë kur shikon statistikat për fitore. Kemi një kundërshtar që luan për fitore. Kemi vetëbesim dhe do të japim gjithçka për t’i vënë në vështirësi. Me armët tona, besoj se do të bëjmë një ndeshje të mirë nesër.

Nuk është vetëm çështje e imja për të ndalur Harry Kane,. Të gjithë kanë vështirësi ndaj Kane. Do mbrojmë si skuadër dhe do sulmojmë si skuadër. Të gjithë do të japin gjithçka. Nuk kanë pësuar asnjë gol, por shpresojmë të shënojmë nesër.

Sigurisht që mendojmë për “play off”. Për momentin të përqendrohemi te Anglia dhe të shikojmë shortin. Nga kombëtare të mëdha si Anglia mund të mësojmë diçka.

Nuk e di nëse jemi mbrojtja më e mirë në histori të Shqipërisë. Këtë e gjykojnë nga jashtë. Unë nuk mund ta them këtë. Kemi organizim shumë të mirë në Kombëtare. Nuk ka rëndësi kush luan. Kemi rritur kualitetin. Nuk është vetëm mbrojtja, por mbron e gjithë skuadra.

Harry Kane lëviz shumë dhe nuk rri afër mbrojtjes. Është teknikisht iu fortë dhe ka kualitet. Është ndeshje e vështirë të luash ndaj tij. Edhe nëse luan Foden, kualitetet janë aty. Duhet të kemi kujdes dhe të flasim shumë.”


Video