Stafi i Metës i vë gishtin kokës, i kujton "presidentit" të PL që sot është Dita Ndërkombëtare e Librit

23 Prill 2024, 14:06Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese Ilir Meta

Pasi largoi “të paaftët” nga partia, pjesa tjetër e stafit të Ilir Metës, që pritet të zgjidhet President i PL, i ka vënë gishtin kokës dhe i ka kujtuar se sot është Dita Ndërkombëtare e Librit.

Në një dalje për mediat tre ditë më parë, teksa Meta fliste për reformimin e PL, u shpreh tejet i indinjuar dhe i zhgënjyer nga stafi i tij, i cili nuk e kishte njoftuar për Ditën Ndërkombëtare të autizmit, apo edhe të romëve, në mënyrë që ish Presidenti i vendit të bënte “adetin” në rrjetet sociale.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit, Meta ka ndarë një foto duke lexuar. Ilir Meta thotë se libri është miku i tij më i mire dhe akuzon qeverinë shqiptare se ka orientuar të rinjtë drejt veseve dhe kafeneve, duke zbrazur bibliotekat e libraritë.

Më tej, Meta shton se Partia e Lirisë ka një plan konkret për të mbështetur shtëpitë botuese.

“Libri është dashuri e madhe e të gjitha kohërave dhe padyshim miku më i mirë. Është tragjike që "Rilindja" në këto vite i ka orientuar të rinjtë drejt veseve dhe kafeneve, duke zbrazur bibliotekat, libraritë dhe duke i dëbuar nga Shqipëria.

Megjithatë kurrë nuk është vonë t’u kujtojmë fëmijëve dhe të rinjve se vetëm dija mund të pasurojë dhe të ndryshojë jetët e tyre.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit i ftoj të gjithë të rinjtë të rikthehen fuqishëm tek libri dhe leximi, për plotësimin e dijeve dhe realizimin e ëndrrave në Atdheun e tyre, që me objektivin tonë madhor do të ketë 4 milion shqiptarë plus. Partia e Lirisë ka një plan konkret për të mbështetur shtëpitë botuese dhe të gjithë krijuesit”, shkruan Meta.  

 

Video