SPAK mbylli sot zyrtarisht hetimet për dosjen “Partizani”, ndërsa përmes avokates së tij, Sali Berisha ka tërhequr vendimin.
Në një deklaratë për mediat, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, tha se ky ishte një akt i paprecedentë i bazuar në një piramidë mashtrimi e falsifikimi dokumentesh.
Berisha deklaroi se pavarësisht se hetimet zgjatën në kohë, sipas tij asnjë provë nuk është gjetur që inkriminon atë apo dhëndrin e tij.
“Sot Rama, kreu i narkoshtetit Shqiptar, Altini i pyetjes 1 milionë euro dhe 3 apartamenteve, ndrikulla e bandave të rrezikshme, dorëzuan avoketërve të mi në mënyrë përfundimtare dosjen për klubin Partizani me akuzën për korrupsion pasiv për mua dhe të njëjtën, plus larje parash për dhëndrin tim. Akt i paprecedentë i bazuar në një piramidë mashtrimi e falsifikimi dokumentesh. Do të gdhendet në kohë si një nga veprat më të shëmtuara të narkoshtetit në Shqipëri. Ata që porositën hetimet nuk gjetën asnjë provë e fakt që na fajësonte. Atyre do u mbetet turpi për aktet e tyre”, tha ai.