Kushtetuesja do të mblidhet ditën e sotme për të vijuar shqyrtimin e Parlamentit, që kërkon shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Kjo është seanca e tretë që zhvillon kushtetuesja për këtë çështje, e cila do të nisë në orën 10:00.
Përfaqësuesit ligjor të Metës u mbrojtën në seancën e kaluar duke kundërshtuar të gjithë procedurën që ishte ndjekur nga Parlamenti në legjislaturën IX për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit. Sipas tyre, Metës iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Parlament para se të merrej vendimi për ngritjen e komisionit hetimor.
Juristët e Metës kërkuan 48 orë kohë për të kthyer përgjigje. Vetë presidenti premtoi tre ditë më parë se do t’u lexojë qytetarëve shqiptarë të gjitha përgjigjet e pyetjeve që Gjykata Kushtetuese i dërgoi në seancën e shqyrtimit të shkarkimit të tij nga Kuvendi. Në një postim në Facebook, kreu i shtetit theksoi se do t’i kthejë të gjitha përgjigjet e 72 pyetjeve brenda afatit të premtuar të 48 orëve.