
Procesi i rindërtimit nga pasojat e tërmetit është shfrytëzuar nga rivalët politikë për të avancuar axhendat e tyre të ditës.
Edi Rama e ka mbrojtur dhe lëvduar (edhe veten) si një proces unik në mbarë botën, ku shteti u rindërton banesat familjeve që mbetën jashtë pa asnjë detyrim, ndërsa opozita e ka sulmuar se duke shfrytëzuar rindërtimin po favorizon oligarkët duke u dhënë leje ndërtimi për pallate në Tiranë.
Deri aty shkuan akuzat, sa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se edhe aty ku sot është shkolla “Sami Frashëri” do të ndërtohej pallat.
“Të gjitha këtyre Sami-stave’, dua t’u bëj thirrje që të hetojnë e të vëzhgojnë, sepse shkolla ‘Sami Frashëri’ po humbet. Aty në sheshin e Sami Frashërit, kam dijeni që do të bëhet pallat. Mesa di unë, ka letra që Qeveria ua ka kthyer pronën ish-pronarëve”, deklaronte në fund të tetorit të 2020-s, Monika Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së e bënte këtë deklaratë duke folur në “Opinion”. Deklarata u përgënjeshtrua fillimisht nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa tani, një vit e gjysmë pas lëshimit të kësaj akuze përgënjeshtrimi përforcohet edhe nga fakti që shkolla “Sami Frashëri” mbetet shkollë, madje e rinovuar dhe e përfunduar.