Raporti i KE për sundimin e ligjit në Shqipëri: Parlamenti nuk zbaton vendimet e Kushtetueses! Problem emërimi i magjistratëve

24 Korrik 2024, 17:19Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Komisioni Evropian

Komisioni Evropian ka publikuar sot raportin për shtetin ligjor, për Shqipërinë si dhe vendet e rajonit.

Raporti për Shqipërinë thekson se vendi ka zbatuar një reformë thelbësore në drejtësi që nga viti 2016, por ka ende mangësi në emërimet e anëtarëve jo-magjistratë të këshillave gjyqësorë. Emërimet e magjistratëve ndikohen negativisht nga transparenca e kufizuar dhe çështjet në lidhje me vlerësimet.

Raporti për Shqipërinë vlerëson se ka rezultate fillestare inkurajuese të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe se numri i personave të ndjekur penalisht ka ardhur në rritje gjatë tre viteve të fundit. Megjithatë, ligji i fundit për amnisti ngre shqetësime. Në përgjithësi, megjithatë, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha, duke përfshirë edhe gjatë fushatave elektorale. Koordinimi ndërmjet institucioneve mbetet i dobët.

Në Shqipëri janë ngritur shqetësime në lidhje me pavarësinë e autoritetit rregullator audio-vizual dhe transmetuesit publik. Raporti vlerëson se rregullimi i kufizuar për transparencën e pronësisë së medias dhe përqendrimi i lartë ndikojnë negativisht në pavarësinë e medias. Gazetarët vazhdojnë të përballen me sulme verbale dhe fizike, fushata shpifjesh dhe padi strategjike.

Në Shqipëri, polarizimi i thellë politik ndikoi negativisht në punën parlamentare, vlerëson Raporti. Gjykata Kushtetuese është efektive në ruajtjen e kontrolleve dhe balancave institucionale, megjithëse Parlamenti ka dështuar të zbatojë disa nga vendimet e saj. Mjedisi për organizatat e shoqërisë civile është sfidues dhe ka gjithashtu pengesa për punën efektive të Ombudspersonit dhe Komisionerit kundër Diskriminimit.

Raporti i plotë


Video