Vula i kaloi Berishës, Basha dorëzon rekursin në Gjykatën e Lartë: Padrejtësia nuk do triumfojë

23 Korrik 2024, 19:19Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lulzim Basha

Demokratët Euroatlantikë, grupimi politik i Lulzim Bashës, ka apeluar sot në Gjykatën e Lartë vendimin e 11 qershorit që i dha Partinë Demokratike Sali Berishës.

Me anë të një postimi në facebook, Basha shprehet se grupimi që ai drejton nuk do të pranojë paligjshmërinë dhe as nuk do lejojë që padrejtësia të triumfojë.

Ai më tej thotë se vlerat themelore të demokratëve nuk mund të tregtohen "në pazarin e hallexhinjve të SPAK", dhe se "partia e parë properëndimore e Shqipërisë nuk mund të jetë streha e problemeve personale të një individi në konflikt me perëndimin".

Njoftimi i Demokratëve Euroatlantikë të Bashës:

Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, depozitoi sot rekursin ndaj vendimit skandaloz të 11 qershorit.

Ne nuk e pranojmë paligjshmërinë, as nuk do lejojmë që padrejtësia të triumfojë.

Vlerat themelore të demokratëve nuk mund të tregtohen në pazarin e hallexhinjëve të SPAK, partia e parë properëndimore e Shqipërisë nuk mund të jetë streha e problemeve personale të një individi në konflikt me perëndimin, votat e demokratëve nuk mund të përdoren për allishverishet mes qeverisë dhe teatëropozitës për t’i dhuruar pushtetin në tavolinë Ramës, duke mbyllur listat dhe duke shkatërruar Reformën Zgjedhore.

Shqipëria meriton më shumë.

Video