Celibashi: KQZ është gati për votën e diasporës, presim politikën të thojë fjalën e fundit!

24 Korrik 2024, 14:19Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilirjan Celibashi

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se institucioni që ai drejton është gati për të bërë të mundur votën e diasporës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Celibashi tha se KQZ ka ndërtuar të gjithë strukturën administrative brenda këtij institucioni, dhe është në pritje të një konsensusi mes forcabe politike.

Në nën-komisionin për Diasporën, Celibashi u shpreh se KQZ e ka konsoliduar drejtorinë për votimin nga jashtë dhe e ka të organizuar në mënyrë të tillë për t’iu përgjigjur të gjitha atyre elementëve teknikë të votimit nga jashtë, duke nisur nga regjistrimi, administrimi i votave dhe i nxjerrjes së rezultatit.

Celibashi: Që pas vendimit të GJK dy kanë qenë aktet e veprimit të KQZ, e para ka të bëjë me ndërtimin e një struktura administrative brenda KQZ, e cila do të adresonte në momentin kur kuadri ligjor rregullator do të ishte gati, gjithë aspektin e votimit të diasporës. E dyta të nxiste për aq sa e kishte të lejuar dhe të sillte në vëmendje të faktorit politik, organizatave të shoqërisë civile nevojën që procesi i votimit nga jashtë të merrte  atë adresim që do të duhet të merrte nga institucionet përkatëse.

KQZ e ka ndërtuar strukturën administrative brenda tij që ka përgjegjësi të dedikuar për të gjitha aspektet e procesit të votimi nga jashtë. E kemi të konsoliduar drejtorinë për votimin nga jashtë dhe e kemi të organizuar në mënyrë të tillë për t’iu përgjigjur të gjitha atyre elementëve teknikë të votimit nga jashtë, duke nisur nga regjistrimi, administrimi i votave dhe i nxjerrjes së rezultatit.

Do të duhet të presim zhvillimet e fundit nëse procesi i negociatave do të finalizohet me plotësimin e boshllëqeve ligjore, kështu do ti hapet rruga veprimit të KQZ për ta përgatitur këtë proces.

PS dhe PD janë ende duke kryer negociata për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që pritet të finalizohen në Kuvend në seancën e ditës së enjte ose të premte, të fundit për këtë sesion parlamentar.

Video