
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi nga Librazhdi se kryeministri Edi Rama i druhet debatit publik me të pasi trembet nga skandalet e përfshirjes në tendera të familjarëve të tij dhe skandaleve ku vetë ai ka firmosur.
Ai tha se socialistët ndërtojnë rrugë me 24 mln euro për km në një kohë kur në të gjithë Europën rrugët ndërtohen me 2 deri në 3 mln euro për km.
“Ku shkojnë këto para? Këto vetëm vidhen. Ndërtohet rruga me 24 mln euro për km, në një kohë kur në të gjithë Europën me rrogat më të larta ajo ndërtohet me 2-3 mln euro. Ju e dini rrugën Elbasan-Tiranë. Ajo u inaugurua në vitin 2013 përveç një segmenti 7 km Ibë-Farkë. Rruga u prokurua e tëra për t’u dorëzuar përfundimisht me 255 mln euro përfshirë tunelin. Rruga ka shkuar 430 mln euro. Ato7 km kanë kushtuar 180 mln euro. Kushtojnë vetëm duke vjedhur. Të papërmbajtur.
Kush mendon se ato nuk janë paratë tona gabon fatalisht. Ato janë vetëm tuajat. Qeveria, kryeministri dhe ministrat përveç rrogës së tyre nuk kanë asnjë qindarkë. Qeveria mbledh taksat tuaja dhe është e detyruar ta kthejë në rroga, në pensione, në rrugë, në shkolla, në ujësjellësa, kanalizime. Ju votoni për veten tuaj. Vota për Edi Ramën është një votë për t’u vjedhur më shumë.
Çdo socialist, çdo demokrat, çdo i paparti voton për veten e tij. Nuk ia mban atij të dalë në debat dhe nuk le asnjë nga kandidatët e tij të dalin me kandidatët tanë. I dalin qindra milionë euro të fshehura në bankat offshore, tenderat e familjarëve të tij, të baxhanakut të thjeshtrës, i del i vëllai i impliktuar në dhjetëra afera, del firma e tij për djegësin, për Durësin. Del gara e tyre e çmendur për t’u pasuruar”, tha Berisha.