Nga forumi ekonomik i Delfit në Athinë, kryeministri Edi Rama u shpreh i pakënaqur me nivelin e investimeve greke në Shqipëri, përballë mundësive dhe potencialit që ekziston.
“Nuk është nevoja të jemi në BE që të shtojmë marrëdhëniet me Greqinë. S’kemi pse presim. Greqia tashmë ka kthyer sytë nga rajoni. Është humbur shumë kohë në të shkuarën”, u shpreh Rama.
Ndryshe nga forume të ngjashme në të shkuarën, Edi Rama ia kurseu kritikat BE-së.
“Me BE ne arritëm të çelim bisedimet. Ne jemi të devotshëm në dashurinë me BE dhe nuk heqim dorë kollaj. BE është me e devotshme tani pas nisjes së luftës në Ukrainë. Tani ka një frymë të re dhe shpresoj kjo të shtohet dhe jo të zbehet. Ne tani jemi duke folur me BE. Po punojmë çdo ditë me BE. Çfarë BE mund të sjellë në vendet tona është diçka që ne nuk mund ta shpikim. Njohuria e BE është e thellë dhe e nevojshme për vendet tona në Ballkan, në ndërtimin e institucioneve. Është një ekspertizë e pazëvendësueshme“, shtoi Rama.
I pyetur për efektet e luftës në Ukrainë në rajonin e Ballkanit Edi Rama dha këtë përgjigje.
“Ballkani perëndimor ka qenë pjesë luftërash dhe urrejtje. Ne jemi tani në pjesën më të mirë të historisë së rajonit dhe kjo falë BE dhe SHBA. Prej shekujsh ne nuk flisnim me njëri tjetrin. Tani 8-9 vitet e fundit ne po flasim. Nëse flasim për politikat e jashtme të vendeve ballkanike ne kemi një panoramë të përzier. Shqipëri është tërësisht pa influencë ruse. Kosova plotësisht pa influencë ruse. Në Serbi dhe Bosnjë kemi një panoramë krejt tjetër. Marrëdhëniet tona me Rusinë janë të një lufte të ftohtë”, theksoi Rama.
I pyetur për zgjedhjet në Turqi Edi Rama tha se është asnjanës por i kujtoi audiencës se ai është një mik i presidentit Erdogan, dhe nëse do të përgjigjej, përgjigja e tij nuk do të pëlqehej.
“Me apo jo Erdoganin, Turqia mbetet faktor stabiliteti në Europë”, deklaroi Edi Rama.
Kryeministri shqiptar tha më tej se vetëm Kosova dhe Shqipëria s’kanë ndikim rus në rajon, ndërsa Serbia ka arsyet e veta.
“Dialogu Kosovë-Serbi është ende çështje e madhe dhe zgjidhja do të thotë të mbyllësh një kapitull përgjithmonë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe strategjike, marrëdhëniet janë shumë më mirë se ç’kanë qenë më përpara, ekziston mungesa e stabilitetit. Duket sikur rusët duan të ndezin fitilin. Kur flitet për gjeopolitikën e Ballkanit Perëndimor kemi një marrëdhënie shumë komplekse, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Shqipëria nuk ka fare lidhje me ndikimin rus ndërsa dy të tjerat janë nën influencën ruse ndërkohë është edhe Serbia dhe Bosnja me ndikim rus, ndërsa Kosova është si ne. Në Serbi ndikimi rus është deri në 70% krahasuar me Shqipërinë që mund të jetë deri në 1.2%. Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë miratuar sanksionet, ndërsa Serbia nuk e ka bërë, kjo mund të jetë një pikë kthese. Ne kemi përqafuar 100% sanksionet dhe nuk është problem për ne ndërsa në rastin e Serbisë sanksionet do të përktheheshin në mungesë gazi kështu që është më mirë të ecim me hapa të qëndrueshëm drejt unifikimit të sanksioneve. Duhet të mbajmë parasysh faktin që Vuçiç është në situatë të vështirë, jo vetëm ai por kushdo të ishte në drejtimin e Serbisë, ku popullariteti i Putinit është më i madhe se i tij, mendoj se po bën gjënë e duhur. Ne kemi mbështetur Ukrainën gjatë gjithë kohës por duhet të përkufizojmë që çfarë ndodh nëse Ukraina fiton luftën dhe për sa kohë nuk kemi përkufizim të saktë duhet të mbijetojmë me shkatërrimin e gjakshëm dhe të ngrirë, kjo është diçka që mund të vazhdojë përgjithmonë”, tha Rama.