Rama: Shqipëria e para në Ballkan për performancën mjedisore

20 Korrik 2026, 13:44Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht ndaj kritikave mjedisore të kohëve të fundit, duke i rrëzuar pretendimet përmes shifrave dhe renditjeve nga organizatat ndërkombëtare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë theksoi se, pavarësisht “zhurmës dhe akuzave” për dëmtimin e natyrës, treguesit zyrtarë dëshmojnë të kundërtën.

Sipas treguesve të Indeksit Global të Performancës Mjedisore, Shqipëria është renditur e para në Ballkanin Perëndimor dhe e 46-ta në botë mes 177 shteteve të analizuara, duke shënuar progresin më të lartë në rajon gjatë dekadës së fundit.

Veçanërisht, në lidhje me zbutjen e ndryshimeve klimatike, Shqipëria mban vendin e 21-të në shkallë globale.

“Për javë të tëra u krijua përshtypja se Shqipëria ishte kthyer në armiken e natyrës së vet. U thanë shumë gjëra, u shkruan edhe më shumë. U ndanë miliona imazhe, akuza dhe gjykime dhe, bindje të cekëta, dhe për një çast u duk se zhurma triumfoi mbi realitetin, por realiteti flet.

Indeksi më prestigjioz global për performancën mjedisore sapo e ka renditur Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor, të 46-ën nga 177 vende në botë, me progresin më të lartë në rajon përgjatë 10 viteve të fundit.

Ndërsa për zbutjen e ndryshimeve klimatike Shqipëria renditet e 21-ta në botë dhe këto nuk janë vlerësimet që ne i kemi bërë vetes, larg qoftë! Por janë vendimet e institucioneve ndërkombëtare dhe akademike, të cilat prej një çerek shekulli masin me konsensus global, me të njëjtën metodologji, performancën mjedisore të vendeve të botës”, tha Rama.


Video