Rama, replika me Leskajn: Ulu, nuk je duke pirë raki me kërma! Përfaqëson anti-amerikanizmin

23 May 2022, 20:39Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama, replika me Leskajn: Ulu, nuk je duke pirë raki me kërma!
Edi Rama

Seanca plenare e kësaj të enjteje u shoqërua me debate mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të Partisë Demokratike Bujar Leskaj, në lidhje me krimet e komunizmit. Shkak për nxitjen e debatit u bënë ndërhyrjet nga vendi të deputetit Leskaj, teksa kryeministri po jepte mendimin në lidhje me nostalgjikët komunistë që festojnë ende 5 Majin me fotografitë e Enver Hoxhës.

Ndërkohë, Bujar Leskaj ka lexuar një listë me të përndjekurit që humbën jetën në komunizëm.

Rama tha se partia që Leskaj përfaqëson, sot ka ngritur flamurin e anti-amerikanizmit. Sipas Ramës, PD kur qeveriste nuk bëri asgjë gjë për problemet e të përndjekurve, nga e drejta e pronës, deri te hapja e dosjeve dhe dhënia e dëmshpërblimeve.

“Bashkohem me të në respektin për të gjithë emrat që përmendi, por ndahem me të në një fakt domethënës, e gjithë përmendja e atyre që janë të vdekur dhe të paharruar, humbet çdo kuptim kur ata që i përmendin nuk jetojnë me idealet, qëllimet, aspiratat dhe shembullin e tyre. Ju flisni këtu sot për ata, por ata donin një Shqipëri ku e drejta e pronës ishte e garantuar, ju përfaqësoni këtu një parti që e shkatërroi të drejtën e pronës. Ata donin një Shqipëri që mos të ishte si këmbët e dhisë, por ju s’patët kurajo të hapnit dosjet e sigurimit të shtetit, sa për kujtesë, i hapëm ne. Së treti ata luftuan për një Shqipëri të drejtë, ju i keni, në fakt bëni dhe një listë tjetër të atyre që vdiqën në demokraci dhe nuk morën asnjë lekë dëmshpërblim nga ju. Ndërkohë që ju i dhatë dëmshpërblim fisit e farefisit, që çuditërisht vijnë nga fisi dhe farefisi juaj. Ju përfaqësoni sot palën anti-amerikane në anën tuaj, dhe jeni krenarë në krah të atij që e ngritët si flamur, dhe në vend të logos së PD-së, ka damkën e DASH si i korruptuar domethënës. Jo, bashkohuni ju me ata. Shko laje gojën mirë njëherë për të gjitha ato që ke thënë në mbështetje të atij flamuri të rreckosur të anti-amerikanizmit, që doni ta ngrini përsëri mbi çatinë e opozitës në Shqipëri, dhe pastaj flisni në mbështetje të tyre”, u shpreh Rama.

Rama i kërkoi deputet demokrat me tone të larta që të ulej dhe mos ta ndërpriste pasi nuk ishte duke pirë raki, por se ishte në Kuvendin e Republikës.

Rama: Ulu se nuk je duke pirë raki. Ulu të thashë! Se nuk je duke pirë raki me kërma. Ulu!

Ça problemi ke ti me ata që dalin me yll atje?

Ti e ke patur në oborrin e partisë tënde bolshevikun dhe e ke problemin me ata.

A më pyete dhe më the çfarë mendon për ata? Unë mendoj që ata janë viktima të nostalgjisë së tyre dhe nuk më bën asnjë përshtypje. Ju jeni viktima të ideologjisë së Enver Hoxhës. Ua kam thënë shkodranëve Enver Hoxha nuk mund t’ua merrte hakun ndryshe duke i lënë në atë errësirën dhe zhulin e asaj që janë sot.

Ju jeni njësoj siç do donte hasmi juaj, do thoshte Gjergj Fishta.

Kur vjen puna për të burgosurit dhe të përndjekurit është ta qepni gojën se, mos të flisni fare, se sa herë ju flisni ata rrotullohen në varr.


Video