Rama ironi Bashën dhe Berishën: Janë gati të përmbysin çdo gjë për interesin e tyre personal

2 March 2022, 18:03Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rama ironi Bashën dhe Berishën: Janë gati të përmbysin

Kryeministri Edi Rama ka qenë në Lushnje për zgjedhjet e pjesshme që do të zhvillohen në këtë qytet më 6 mars.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë nuk ka lënë pa ironizuar situatën në Partinë Demokratike.

“Nuk mund të jetojmë të ndarë çdo ditë. Lufta është gjetkë, por po të dëgjosh mënyrën si flitet këtu, mënyrën si shahet këtu, si sulmohet këtu duket sikur lufta është këtu. Çfarë politika e bën këtë? Jo nuk e bën politika. E bëjnë njerëz të caktuar që tanimë i sheh i madh dhe i vogël që do të shikojë që janë aty vetëm për interesin e tyre personal. Janë gati të përmbysin çdo gjë për interesin e tyre personal… që të dy bashkë dhe të tërheqin për hundësh dy palë Parti Demokratike për interesin e tyre personal. Njëri se do me doemos të kthehet dhe tjetri se do me doemos të mos ikë. Hall i madh”, tha Rama.

Kryeministri Rama foli edhe për kandidatët kundërshtarë në zgjedhjet e 6 Marsit, ku tha se fakti që kanë pranuar “të bëhen dedelë të atyre dy rrymave të krijuara atje nga një sherr komplet personal i zhvleftëson si shërbëtorë të qytetit”.

“Fakti që kanë pranuar të bëhen dedelë të atyre dy rrymave të krijuara atje nga një sherr komplet personal i zhvleftëson si shërbëtorë të qytetit. Ç’do bëjnë ata këtu? Do dalin t’ju flasin për bravën, apo do dalin që e rëndësishme është të marrim varenë? Ky është rast për të parë që nuk është njësoj çdo gjë në politikë. Nuk janë njësoj zgjedhjet që bëjmë me këtë apo atë, ndërkohë që qytetarët janë të barabartë”, u shpreh Rama.

Kryeministri u ndal edhe tek Këshillimi Kombëtar. Ai tha se kjo është një nismë që ndikon në vendimmarrjet e qeverisë.

“Pasja e opinionit publik në mbështetje të marrjes së një vendimi ka rëndësi shumë të madhe edhe për të folur me një zë qeveria me njerëzit”, u shpreh Rama.


Video