
Presidenti Ilir Meta përshëndeti rezolutën e miratuar nga Parlamenti Europian, që dënon agresionin rus kundër Ukrainës.
“Miratimi me 637 vota i kësaj rezolute që prek të gjitha aspektet politike, ekonomike, diplomatike, humanitare, ligjore, si dhe pasojat tragjike që mund të shkaktojë përshkallëzimi i situatës, dëshmon solidaritetin dhe unitetin europian përballë rrezikut që i kanoset sot jo vetëm Ukrainës por edhe Europës dhe botës së lirë e demokratike”, shkruan ai.
Meta thotë se me anë të kësaj rezolute, PE ka shtuar vëmendjen edhe ndaj Ballkanit Perëndimor, si një zonë ku influencat ruse janë të forta dhe mund të nxisin trazira.
“Përshëndes vëmendjen e shtuar të Parlamentit Europian edhe ndaj rajonit tonë, çka duhet të na shtojë vigjilencën ndaj çdo tentative për destabilitet nga aktorë jomiqësorë”, shton ai.
Reagimin e tij, Meta e mbyll duke i kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë pa vonesa një rezolutë kundër pushtimit të Ukrainës.