
Shqipëria ka përputhur plotësisht qëndrimin me atë të BE-së sa i takon agresionit rus në Ukrainë, ndërsa pas miratimit të rezolutës në Parlamentin Europian ku dënohet ky agreson, edhe Kuvendi i Shqipërisë do të kalojë një të tillë.
Draft-rezoluta është hartuar nga socialistët dhe ajo u është përcjellë për konsultim kryetarëve të grupeve parlamentare. Ajo dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.
Drafti bën thirrje për uljen e mënjëhershme të armëve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Gjithashtu, me anë të kësaj rezolute, Kuvendi i jep mbështetjen e plotë Qeverisë dhe qëndrimeve që ajo ka mbajtur në lidhje me këtë konflikt dhe në fund kërkon që shkaktarët e këtij konflikti të vihen para drejtësisë ndërkombëtare.
Burime të Voxnews.al pohojnë se drafti është duke u konsultuar me opozitën dhe Partia Demokratike do të bëjë disa propozime në të. Propozimet, sipas burimeve, mund të lidhen me nevojën e përshpejtimit të proceseve integruese në Ballkanin Perëndimor.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.