Xhaçka: Lufta në Ukrainë, dëshmi urgjente për integrimin e Ballkanit në BE

1 March 2022, 18:26Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Xhaçka: Lufta në Ukrainë, dëshmi urgjente për

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka thirrur sot në një takim të posaçëm përfaqësues nga trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë për të informuar mbi rolin dhe qëndrimin e Shqipërisë lidhur me agresionin mbi Ukrainën.  Ajo i njohu ambasadorët me hapat e ndërmarra nga Shqipëria në mbështetje të Ukrainës.

“Shqipëria po bën gjithçka që mundet, në maksimumin e aftësive dhe kapaciteteve të saj. Vetoja e Rusisë bllokoi miratimin e rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Por ky nuk ishte fundi i rrugës dhe rezoluta po diskutohet me të gjithë botën në Asamblenë e Përgjithshme, ku jemi optimistë, se falë përpjekjeve të të gjitha vendeve tuaja dhe shumë të tjerave, kjo rezolutë do të kthehet në një ushtrim që demonstron përkushtimin e botës ndaj Kartës së OKB-së dhe ndaj parimeve bazë të sistemit të bazuar në rregulla që ne kemi rënë dakord të respektojmë.  Kam udhëzuar të gjitha ekipet shqiptare, në OKB, OSBE, Këshillin e Evropës, Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe çdo forum tjetër ndërkombëtar apo rajonal, që të miratojnë të njëjtën qasje proaktive në mbështetje të Ukrainës dhe në denoncimin ndaj Rusisë”, u shpreh Xhaçka.

Ministrja Xhaçka deklaroi se ngjarjet në Ukrainë dëshmojnë se izolimi i Ballkanit Perëndimor është kosto e lartë për BE.

“Ngjarjet në Ukrainë janë dëshmi se shqetësimet tona ishin të justifikuara. Kjo e bën shumë të qartë se kostoja e izolimit është shumë më e lartë se kostoja e integrimit. Sinjalet që po marrim tani tregojnë se BE-ja është e fokusuar tani siç nuk ka qenë për një kohë. Nëse BE-ja është e bashkuar dhe e përkushtuar, nëse tregon të njëjtën vendosmëri siç po tregon në mbështetje të Ukrainës tani, rajoni ynë, Ballkani Perëndimor nuk do të jetë më i prekshëm ndaj përpjekjeve për të nxitur telashe dhe grindje dhe do të përfitojë siguria e Evropës në tërësi”, nënvizoi mes të tjerash ajo.

Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Shkurov vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë ndërsa theksoi se pavarësisht provokimeve, sistemet bazë të vendit të tij dhe sektori i energjisë po funksionojnë qëndrueshëm.

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim tha se “jemi të gjithë të befasuar me veten - për shpejtësinë, vendosmërinë, këmbënguljen, seriozitetin dhe sakrificën; kjo nuk vjen pa sakrifica - me mënyrën se si ne po i përgjigjemi, duke i dalë në mbrojtje Ukrainës, por edhe duke dalë në mbrojtje të mënyrës sonë të jetesës”.

Xhaçka: Lufta në Ukrainë, dëshmi urgjente për

Sipas ambasadorit të delegacionit të BE, Luiggi Soreca, Komisoni Evropian po shqyrton aplikimin direktivës së mbrojtjes së përkohshme, e cila nëse miratohet nesër në Këshillin e Ministrave te Drejtësisë dhe të Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së do të sigurojë një mbrojtje të plotë për qytetarët ukrainas deri në tre vite në secilin vend të BE-së.

Në takim, ku u shpreh mbështetja për bashkëpunim për përballimin e situatës së vështirë, morën pjesë ambasadorja e SHBA, ambasadori i BE, i Ukrainës, i vendeve anëtare të NATO e BE, të rajonit dhe të vendeve të tjera të cilat kanë shprehur linjëzimin me sanksionet ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.


Video