Spartak Ngjela tregon çelësin që do ta çojë drejt fitores Volodymyr Zelensky

28 February 2022, 13:01Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Spartak Ngjela tregon çelësin që do ta çojë drejt

Spartak Ngjela ka komentuar sërish luftën në Ukrainë nga agresori rus, që ka hyrë sot në ditën e pestë. Në një postim në “facebook”, Ngjela thekson se kjo luftë tregoi diferencën midis Rusisë dhe Ukrainës për sa i përket lidershipit.

Sipas tij nga njëra anë kemi Volodymyr Zelenskyn, një lider me moral të lartë politik e patriotik dhe nga ana tjetër presidentin Putin, të cilin ai e cilëson si një pafillo të KGB-së.

Avokati shprehet se vlerat morale të Zelenskyt do ta nxjerrin fitues në përballjen me rusin e çmendur Vladimir Putin.

Postimi i plotë:

Ku është sot diferenca midis Rusisë dhe Ukrainës.

Kjo është një diferencë në lidërship. Ukrainasit kanë tani një lider që po i drejton; kurse rusët kanë një pafillo të KGB-së që nuk e di se ç’është as atdheu, as intelekti politik dhe as morali shoqëror i një kombi.

Historia na ka mësuar se kur një lider që drejton një vend e ka të bashkuar moralin shoqëror me përgjegjësinë; vendi përparon. Historia gjithashtu na ka mësuar se në kohën e një lufte patriotike për mbrojtjen e atdheut; trimëria, guximi dhe intelekti i liderit që mbron vendin e tij, marrin vlerë të madhe, nëse ky lider e respekton dinjitetin e tij në funksion të moralit shoqëror.

Sot ne e pamë të gjithë: lideri i Ukrainës Volodymyr Zelensky, po e dominon fushën e luftës Rusi – Ukrainë me intelektin e lartë politik që zotëron, dhe me moralitetin e lartë patriotik që e di se jeta e dhënë për atdheun është vlerë e madhe historike për çdo individ.

Në fakt; kjo ka qenë dhe është substanca e moralit shoqëror të çdo kombi të iluminuar.

Morali shoqëror, të cilit duhet që detyrimisht t’i përmbahet një lider, është respektimi i mirëqenies shoqërore për çdo veprim të kryer nga ana e tij.

E shihni se si bashkohen në një pikë të përbashkët mirëqenia shoqërore e Ukrainës me heroizmin patriotik të presidentit të saj Volodymyr Zelensky?

Dhe është pikërisht kjo vijë morale që do ta nxjerrë fitues Zelensky-n dhe Ukrainën në këtë luftë patriotike të imponuar nga një rus i çmendur.


Video