Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti sot një takim përmbyllës të fushatës së 6 marsit në Dibër. Gjatë fjalës së tij, Berisha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama, ndërsa premtoi se nuk do të lejohet projekti i Skavicës që sipas tij përmbyt Dibrën. Po ashtu ai tha se nuk do të ketë tra në Rrugën e Arbrit.
“Më 6 mars, Edi Rama vjen për të kërkuar votën tuaj me kandidatin e tij me dy fytyra. Njëra është një fytyrë me të cilën ai ka dëshmuar se jo qytetari, por qeveritari është në epiqendër të interesave të tij. Kurrë më shumë se gjatë qeverisjes së tij nuk është rritur varfëria dhe mjerimi.
Ai ka marrë përsipër t’i bëjë Dibrës atë që nuk ia ka bërë asnjë pushtues: të mbysë nën ujë Dibrën më pjellore, por edhe Dibrën historike, vend-origjinën e Skënderbeut, të mbysë nën ujë dhjetëra e dhjetëra fshatra, përfshi shtëpi dhe varreza. Përse? Për të prodhuar 100 kilovat energji më shumë në Skavicë” tha Berisha në takimin përmbyllës në Dibër.
Duket se këtij mitingu përmbyllus i është bashkuar edhe kryetarja e LSI-s, Monika Kryemadhi. Kryetarja e LSI-s ka publikuar një foto në “Facebook” ku shkruan: “Rrugës për në Dibër”.
Kjo foto shton edhe më shumë dyshimet se Monika Kryemadhi është takuar me ish kryeministrin Sali Berisha. Kujtojmë se LSI-ja u bë “urë kaluese” për kandidatët e Berishës që të merrnin pjesë në zgjedhjet e pjeshme të 6 marsit.
Premtim Kryemadhi kandidati për bashkinë Dibër nga gjatë prezantimit nga ish kryeministri Sali Berisha, zbuloi se është në të njëjtin fis me gruan e Presidentit, njëkohësisht dhe kryetare e LSI, Monika Kryemadhin. Ky mund të jetë dhe një nga arsyet pse Monika Kryemadhi mori sot rrugën për në Dibër.
Por nuk e dimë nëse Kryemadhi është dakord me Berishën i cili u ka premtuar dibranëve se me Premtim Kryemadhin, “nuk do ketë as Skavicë dhe as tra në Rrugën e Arbrit”. Kujtojmë se Skavica është një investim amerikan./VoxNEWS.AL