Rama i pakënaqur me pjesëmarrjen në Këshillimin Kombëtar

7 February 2022, 19:48Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rama i pakënaqur me pjesëmarrjen në Këshillimin

Kryeministri Edi Rama kujdeset që herë pas here të kujtojë përmes rrjeteve sociale se sa qytetarë i kanë plotësuar formularin e këshillimit kombëtar.

Por, dy javë nga nisja e këtij procesi, kreu i qeverisë është i pakënaqur nga pjesëmarrja. Burime ekskluzive të Voxnews.al pohojnë se Rama po këmbëngul dhe mban të karikuar administratën që të përqëndrohen në këtë drejtim, pavarësisht se shifra e qytetarëve që kanë kthyer përgjigje ka tejkaluar 150 mijë.

“Shifra vlerësohet e ultë për faktin që konsultimi, përveçse me postë në çdo shtëpi, është edhe online, i thjeshtë dhe garanton anonimitetin për t’u plotësuar nga kushdo”, thonë burimet.

Këshillimi ka ndeshur shumë kritika në Facebook-un e Ramës, një pjesë e të cilave e quajnë nismën thjesht propagandë. Kritikat kanë rënë në syrin e Ramës.

“Kam ndeshur gjatë këtyre ditëve disa që komentojnë këtu, se Këshillimi Kombëtar duhej bërë në fillim të mandatit të parë, jo të të tretit. Sa mirë do ishte që njerëzit t'i dinin të tëra qysh në nisje të çdo pune, po ja që puna na mëson shumë gjëra të reja. Pra kjo nuk është një ide e vjetër, po një praktikë e re e këtij mandati të ri. Këshillimi Kombëtar është një shprehje e re e vullnetit të mirë, për t'i përshirë në vendimmarrjet tona qytetarët pa dallime partiake”, shkruan ai.

Rama siguron se opinionet e dhëna për 12 pyetjet e formularit do të merren parasysh nga qeveria e tij.

“Deri atëherë mund të them vetëm se ne nuk do të kishim asnjë arsye ta ndërmerrnim këtë nisëm të re, po të mos e kishim shumë seriozisht qëllimin e saj. Disa të tjerë thonë se nuk janë pyetjet e duhura apo se duheshin edhe pyetje të tjera. Ne kemi shprehur hapur dhe ndershmërisht dilemat tona për ato 12 çështje. Mbase kur t'i kthehemi kësaj here të parë pas dy a tre vitesh, do të mendojmë se mund të ishte konceptuar më mirë, organizuar më mirë, shpjeguar më mirë, e me radhë. Sepse puna mund të na mësojë gjëra që sot nuk i marrim dot me mend. Por modestisht besoj se kjo nuk është një arsye për të mos e dhënë opinionin për këto çështje”, vijon ai.


Video