Kryeministri Edi Rama publikoi të martën një foto nga pista e atletikës e përfunduar së fundmi nën Parkun e Liqenit Artificial.
Shënimi i vendosur prej tij: “Pista olimpike e Atletikës në Parkun e rilindur të liqenit”.
Por, duke iu referuar filozofit Niçe, aktivisti i “Organizatës Politike”, Arlind Qori e akuzon atë për fshehje të së vërtetës edhe në foto.
“Fotografi i qeverisë është kujdesur që foton ta kapë nga këndi ku nuk duken pallatet në ndërtim e sipër (të Kastratit) që po gllabërojnë parkun, ngjitur me pistën e atletikës. Kur Niçja pat shkruar se nuk ekziston e vërteta, por vetëm interpretimet (këndvështrimet), nuk mund ta përfytyronte se një zuzar i pushtetshëm do të zgjidhte gjithnjë atë kënd-vështrimi që fsheh matrapazllëqet. Po e vërteta ekziston. Ajo duket nga këndi që ekspozon grabitjen, zaptimin e shtypjen”, shkruan ai.