Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, foli për situatën në veri të Kosovës dhe nismën “Ballkani i Hapur”.
Presidenti Begaj theksoi se Serbia nuk promovon paqen, por hiqet sikur është neutrale dhe promovon destabilitet në veri të Kosovës.
Kreu i Shtetit theksoi se Serbisë i duhet dhënë një mësim që marrëveshjet e firmosura duhen implementuar.
“Nuk duhet të analizojmë retorika për çështje nacionale. Jemi në kohën e modernizmit. Nuk do të pranohet në asnjë rrethanë dhuna. Dhuna sjell mjerim. Mesazhet do të jenë të qarta që të garantohet që kushdo që të promovojë dhunën, do të dënohet. Serbia nuk promovon paqen por hiqet dhe duket sikur është neutrale por promovon destabilitet në veri të Kosovës.
Mendoj që i duhet dhënë një mësim që marrëveshjet e firmosura duhen implementuar. Rruga e duhur është drejt avancimit me njohjen reciproke të dy vendeve, Duhet të jemi të duruar. Duhet të luftojmë për të ruajtur paqen. Paqja nuk ka çmim. Serbia e di shumë mirë se çfarë do të thotë të hapë një front konflikti të ri. Ngjarjet në Ukrainë duhet të na bëjnë të mendojmë dy herë në rast të një konflikti të ri”, deklaroi Kreu i Shtetit.
Lidhur me nismën Ballkani i Hapur, Begaj tha se nëse do jetë iniciativë gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e 6 vendeve duhet të mbështetet.
“Ballkani i Hapur nëse do të jetë iniciativë në planin gjithëpërfshirës dhe me pjesëmarrjen e 6 vendeve të Ballkanit perëndimor që do të bëjë të mundur shkëmbimin e lirë të mallrave, them se është shumë e duhur. E di që Kosova dhe Shqipëria kanë qëndrime të kundërta për këtë gjë por kjo sjell diversitetin”, deklaroi Presidenti.
Begaj gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë është takuar me krerët e institucioneve dhe krerët e opozitës, me përjashtim të drejtuesve të LDK-së.
LDK reagoi publikisht sot ndaj Begaj, duke thënë se ai refuzoi ta takojë kryetarin Lumir Abdixhiku në selinë e partisë, pasi ka kërkuar që ky takim të zhvillohej në Kuvendit e Kosovës.
Begaj, në intervistën për RTK tha se pas ftesës që i kishte bërë drejtuesve të LDK-së për një takim në Kuvend, sikurse me drejtues të partive të tjera, ka marrë një përgjigje se ai ishte i mirëpritur në godinën e LDK-së, duke refuzuar kështu një takim në Kuvend.
“Unë jam president i Republikës së Shqipërisë dhe erdha në Kosovë për të biseduar si vëllai me vëllain, si me familjen time. Këto takime doja t’i mbaja në tempullin politik, që është kuvendi i atij vendi. Ftesa ime ka qenë mjaft e sinqertë për të gjitha partitë politikë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas përgjigjes së LDK-së dërguar te stafi im, thuhej se presidenti Republikës së Shqipërisë është i mirëpritur në godinën e LDK-së”, tha Begaj.
Begaj tha se synonte t’i takonte të gjithë drejtuesit e partive shqiptare në një tavolinë, por kjo sipas tij kishte qenë pamundur prandaj i ka takuar ndaras.
“Ftesa ishte nga ana jonë, takimet ishin të paracaktuara. Erdha në Kosovë me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës. Doja që partitë politike shqiptare t’i takoja të bashkuara, në një tavolinë, nuk arrita dot, i takova ndaras”, deklaroi Begaj.