Bajram Begaj takohet me krerët e opozitës në Kosovë: I rëndësishëm dialogu dhe qëndrimi me faktorët politikë

16 August 2022, 13:16Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bajram Begaj takohet me krerët e opozitës në Kosovë: I
Bajram Begaj në Kosovë

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është takuar në selinë e Kuvendit, me drejtues të partive opozitare të Kosovës dhe përfaqësues të partive minoritare.

Presidenca njofton se Begaj ka theksuar edhe një herë se mbështet plotësisht të drejtën legjitime të Kosovës për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në. Sipas tij dialogu me Serbinë është e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm.  

Kreu i shtetit shqiptar ka nënvizuar gjithashtu si shumë të rëndësishëm dialogun dhe qëndrimin e përbashkët mes të gjithë faktorëve politikë në Kosovë për sfidat madhore me të cilat përballet vendi. Për presidentin Begaj, bashkëpunimi ndërparlamentar dhe ndërinstitucional mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të vijohet me punë intensive dhe të matshme për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve dypalëshe si dhe shtimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, sidomos në atë ushqimore dhe energjitike.

Drejtuesit e partive opozitare vlerësuan mbështetjen e Shqipërisë në rrugëtimin e Kosovës sikundër edhe vendimin e një dite më parë për furnizimin me energji elektrike.

Bajram Begaj ndryshe nga çfarë e kishte planifikuar, nuk u takua me kreu e LDK-së Lumir Abdixhiku.  Ky i fundit nuk pranonte të takoheshin në selinë e Kuvendit, por në selinë e partisë së tij, por kjo nuk u pranua nga Begaj.


Video