“Qeverisin qytetarët apo kriminelët?”, Rama i përgjigjet Kim: Refuzoj gjuhën e përdorur

3 October 2022, 22:21Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Qeverisin qytetarët apo kriminelët?”, Rama i
Edi Rama dhe Yuri Kim

Kryeministri Edi Rama ka komentuar me tone të forta deklaratën e bërë pak ditë më parë nga ana e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila u shpreh se udhëheqësit duhet të zgjedhin se kush e ka në dorë këtë vend, qytetarët apo kriminelët dhe se paratë e pista bëhen pallate e resorte turistike.

Në një intervistë për emisionin “Noë”, Rama u shpreh se nuk mund të hidhet baltë për 99% të shqiptarëve, për faktin se 1% është e lidhur me botën e krimit.

“E para, unë e refuzoj kategorikisht këtë gjuhë që udhëheqësit duhet të zgjedhin kush duhet ta qeverisë këtë vend, qytetarët apo kriminelët. Për sa më takon, si udhëheqës i këtij vendi, e kam bërë zgjedhjen me kohë. E kam bërë zgjedhjen kur kam dalë kundër regjimit komunist, e kam bërë zgjedhjen kur kam hyrë në politikën shqiptare dhe e bëj zgjedhjen time çdo ditë, nuk kam asnjë dilemë për këtë.

Nga ana tjetër, të akuzosh en-block, nuk ndihmon fare qytetarët, nuk ndihmon fare luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave, por përkundrazi, krijon një mjegull të madhe ku të vetmit përfitues janë kriminelët dhe pastruesit e parave. Për 1% të shqiptarëve që janë të lidhur me botën e krimit, nuk mund të hidhet baltë mbi 99% të tyre, as jashtë dhe as brenda”, theksoi ai.


Video