Kandidatja për kreun e FRPD e zhgënjyer: E kuptuan të gjithë lojën, trokita në dyert e PD dhe s'më dhanë zgjidhje

3 Tetor 2022, 17:56Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Barbara Doda

Kandidatja për kreun e FRPD-së, Barbara Doda ka mbetur e zhgënjyer nga procesi i zgjedhjeve që u mbajtën dy ditë më parë, duke theksuar se shumë prej parimeve dhe standardeve të cilave u besoi deri në fund, qoftë edhe naivisht, nuk u plotësuan.

Në deklaratën e saj, Doda shton se gara për Forumin nuk plotësoi as kërkesat minimale për të qenë e tillë, sidomos ditën e votimit ku parregullsitë me listat e anëtarëve dhe numrin e votave janë të shumta. Ajo shprehet se e kishin kuptuar pothuajse të gjithë lojën që po luanin, një lojë e padrejtë dhe e pandershme, pa rregulla dhe standarte.

Ndër të tjera, Doda thotë se në momentin që e kuptoi që ishte garë e padrejtë, kërkoi për zgjidhje në çdo derë të PD-së, por nuk e gjeti atë.

"Dua t’ju them që në moment që e kuptova, refuzova tërësisht të bëhesha palë e një proçesi që do dëmtonte strukturat dhe degët e FRPD-së. Tërhoqa 0 formularë për anëtarësime dhe nuk dërgova asnjë person në grupet e punës, që për mua ishin tërësisht të njëanshme. Për këtë gjë më besoni që së bashku me kandidatët e tjerë kemi trokituar në çdo derë të PD-së dhe nuk na u dha zgjidhje." thuhet në deklaratën e saj. 

Barbara Doda deklaron se Partia Demokratike ka nevojë për standarde të reja që të ndryshojë, ndërsa thotë se zgjedhjet në FRPD duhet të shërbejnë si një mësim që ky proces zgjedhjeje nuk duhet të përsëritet më.

Dy ditë pas zgjedhjeve për kryetarin e Forumit Rinor, Partia Demokratike njohu si fitues kandidatin Besart Xhaferri, i cili mundi të sigurojë 5256 vota në këtë proces, me një diferencë të thellë ndaj kandidatëve të tjerë.

Deklarata e plotë:

Dua t’ju falenderoj nga zemra të gjithëve ju që më keni mbështetur gjatë këtyre javëve. Kam pasur mundësinë të njoh nga afër shumë prej jush dhe jam më e bindur se kurrë se rinia në Shqipëri meriton shumë më shumë se çfarë i ofrohet deri më sot. I kam parë nga afër talentet tuaja dhe u jam mirënjohëse për kohën që më keni dedikuar jo thjesht mua, por këtij procesi për të cilin aq shumë kishte nevojë Forumi. Sot jam më e bindur se kurrë se e ardhmja e Shqipërisë do të jetë e ndritur nëse ajo u takon ju. Besoj fort se çdo ide dhe fjalë që kam ndarë me ju gjatë fushatës duhet të jetë rruga e duhur për Forumin dhe për PD-në. Nëse Forumi nuk ndryshon, nëse ai nuk reflekton më të mirën e asaj që ka ky vend, nuk do të ndryshojë as PD, e nuk do të ndryshojë as vetë Shqipëria. Fatkeqësisht sot nuk besoj se shumë prej këtyre pritshmërive u plotësuan. Përtej rezultatit final, i cili mund të kishte qene i ngjashëm edhe me një garë model, shumë prej parimeve dhe standardeve të cilave u besova deri në fund, qoftë edhe naivisht, nuk u plotësuan. Gara për Forumin nuk plotësoi as kërkesat minimale për të qenë e tillë, sidomos ditën e votimit ku parregullsitë me listat e anëtarëve dhe numrin e votave janë të shumta.

Por përtej kësaj, e kishim kuptuar pothuajse të gjithë lojën që po luanim, një lojë e padrejtë dhe e pandershme, pa rregulla dhe standarte. Dua t’ju them që në moment që e kuptova, refuzova tërësisht të bëhesha palë e një proçesi që do dëmtonte strukturat dhe degët e FRPD-së. Tërhoqa 0 formularë për anëtarësime dhe nuk dërgova asnjë person në grupet e punës, që për mua ishin tërësisht të njëanshme. Për këtë gjë më besoni që së bashku me kandidatët e tjerë kemi trokituar në çdo derë të PD-së dhe nuk na u dha zgjidhje. Na kanë pyetur shpesh nëpër degët e FRPD-së, përse rrinim në garë, përse bëheshim pjesë e një proçesi të tillë. Por le te dihet sot, se ka të rinj në PD që do i dalin për zot, ka të rinj në PD që s’kanë frikë nga e vërteta, ka të rinj në PD që duan vërtetë ta ndryshojnë e ta bëjnë fituese atë, pavarësisht kostove.

Por që të ndryshojë, Partia Demokratike ka nevojë për standarde të reja. Ka nevojë për garë të vërtetë ku listat, komisionerët, numëruesit janë ta garantuar me kohë. Ka nevojë të plotësojë ato standarde që me të drejtë i kërkojmë Edi Ramës sa here dalim në zgjedhje përballë tij. E ardhmja e afërt na detyron të kemi zgjedhje të reja brenda nesh. Le të jetë gara e Forumit një mësim se si NUK duhet bërë ky proces. Primaret e ardhme të PD duhet të jenë një garë model jo vetëm për të rivendosur besimin e thyer në procesin e zgjedhjeve por edhe për të tërhequr pas nesh elitën e shoqërisë. Unë sot jam e sigurtë që ka plot njerëz që i kanë sytë dhe shpresat e tyre nga Partia Demokratike. Por e di po aq mire se koha kalon shpejt dhe mundësitë për të bindur këtë pjesë të shoqërisë po zvogëlohen. Qoftë gara e Forumit një kapitull i fundit në historinë e Partisë sonë. Faleminderit dhe njëherë anëtarëve të Forumit dhe Partisë. Kjo është shtëpia jonë, dhe të ardhmen e saj duhet ta përcaktojmë ne!

Video