I doli emrin në sistemin "MEMEX", reagon Spiropali: Hakerat postojnë lista me emra pa lidhje, këtu hidhen gjylet e akuzave

3 Tetor 2022, 16:14Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Elisa Spiropali

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar pas lajmeve se i figuron emrin në listën "MEMEX", ku janë emrat e skeduar nga Policia, të dhëna konfidenciale të publikuara sot nga hakerat iranianë.

Në asnjë rresht të reagimit të saj në rrjetet sociale Spiropali nuk sqaron se përse emri dhe fotoja e saj ishin në atë listë, teksa shkruan se hakerat e një vendi armiqësor me Shqipërinë postojnë lista me emra pa lidhje dhe këtu hidhen gjylet e akuzave absurde.

Reagimi i plotë:

S’ka më jo turp, po as një minimum sensi logjik të kanaleve e të portaleve në raport me publikun, se për ndonjë ndjenjë minimale patriotizmi as bëhet fjalë! Hakerat e një vendi armiqësor me Shqipërinë postojnë lista me emra pa lidhje dhe këtu hidhen gjylet e akuzave absurde!

Thotë Saliu lista Memex, vu portalet lista Memex. Përgënjeshtroi Policia nuk është lista Memex, por lajmet e portaleve mbetën.
Shkurt, e hodhën ata një gur në lumë dhe tani o burra të gjejmë ç’lidhje ka Elisa, Niko, Mimi e të tjerë apo edhe disa gazetarë në listën e të dyshuarve të Policisë! Kanë vetëm një lidhje: Lidhjen mes keqdashësisë së atyre që e hedhin gurin dhe ligësisë së atyre që gjoja s’e nxjerrin dot! Qesharake!

 

Video