Partia Demokratike ka shpallur Besart Xhaferrin si fitues të zgjedhjeve për kreun e Forumit Rinor të PD-së, edhe pse në rrjet qarkulluan shumë dokumente se vërtetonin se ky proces ishte i manipuluar, ku kishin votuar edhe persona mbi moshën e caktuar që nuk e kishin emrin tek listat e votuesve, madje ka patur akuzave edhe nga vet kandidatët e tjerë.
Përmes një deklarate nga selia blu, anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari falenderoi komisionet dhe vëzhguesit që kanë siguruar një proces demokratik dhe sipas tij kandidatët kanë dhuruar një garë të fortë dhe entuziaste, edhe pse Xhaferri fitoi me një diferencë shumë të madhe votash nga kandidatët e tjerë.
Muçollari tha më tej se deri në tani, nuk ka patur asnjë ankesë nga vëzhguesit apo kandidatët në rrugë zyrtare. Pesë kandidatët e tjerë kanë dy ditë kohë të paraqesin zyrtarisht ankesat e tyre pranë Komisionit zgjedhor të Forumit Rinor.
Deklaratë e anëtarit të Kryesisë së PD, Grigels Muçollari
Të shtunën janë zhvilluar zgjedhjet për kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Procesi zgjedhor është administruar në 62 qendra votimi në të gjithë vendin dhe në të kanë marrë pjesë 186 komisionerë.
Të gjashtë kandidatët në garë janë përfaqësuar edhe nga 287 vëzhgues
Vlen të theksohet se i gjithë procesi është administruar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike.
Gjitshatu gjatë procesit të votimit, dhe deri në tani, nuk ka patur asnjë ankesë nga vëzhguesit apo kandidatët në rrugë zyrtare.
Sa i takon pjesëmarrjes dhe elementëve të saj, në votime kanë marrë pjesë 9470 votues dhe 73 vota janë gjetur të pavlefshme.
Në emër të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dua të falenderoj të gjithë pjesëmarrësit në votime, komisionet dhe vëzhguesit që kanë siguruar një proces demokratik për secilin kandidat dhe, sigurisht kandidatët që kanë dhuruar një garë të fortë dhe entuziaste.
Dua të theksoj se për herë të parë kanë marrë pjesë në garë 6 kandidatë të cilët e kanë çuar deri në fund procesin pa u tërhqur nga gara.
Si dhe faktin se në çdo qendër votimi ka patur së paku një vëzhgues të kandidatëve.
Më poshtë po ju parqes vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të FRPDSH për rezutatet i cili sapo mu vu në dispozicion.:
1.Znj.Alesia Balliu186 vota
2.Z.Arnold Kariqi 1683 vota
3.Z.Artion Barjamaj 528 vota
4.Znj.Barbara Doda 452vota
5.Z.Besart Xhaferi 5256 vota
6. Z.Maringlend Doçi 1292 vota
Në bazë të këtij rezultati, fitues i zgjedhjeve dhe kryetar i ri i Forumit Rinor të Partisë Demokratike shpallet z. Besart Xhaferri.
Siç parashikohet në rregullore pas shpalljes së vendimit për fituesit kandidatët në garë kanë dy ditë kohë të paraqesin zyrtarisht ankesat e tyre pranë Komisionit zgjedhor të Forumit Rinor.