"Nga partia e dinë të gjithë", kandidati për kreun e FRPD: Ka patur ndërhyrje për të orinetuar votën, listat u "frynë"

3 Tetor 2022, 18:04Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mariglend Doçi

Dy ditë pas zgjedhjeve për kryetarin e Forumit Rinor, Partia Demokratike njeh si fitues kandidatin Besart Xhaferri, i cili mundi të sigurojë 5256 vota në këtë proces.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, bëri me dije se në bazë të rregullores kandidatët në garë kanë dy ditë kohë të paraqesin zyrtarisht ankesat e tyre pranë Komisionit Zgjedhor të Forumit Rinor.

E në fakt nuk kanë munguar reagimet e këtyre të fundit. Mariglen Doçi, i renditur i treti sipas numrit të votave të marra, shprehet se procesi ka pasur problematika të cilat kanë ndikuar në rezultatin final.

"Kam mbledhur informacione nga vëzhguesit e mi që kam pasur në degë të ndryshme dhe këto parregullsi ekzistojnë. Kemi pasur ndërhyrje dhe nga partia e dinë të gjithë, për të orientuar votën në këto zgjedhje të FRPD-së." thotë ai për OraNews.

Sipas tij numri i anëtarëve të regjistruar në proces është fryrë teksa janë futur dhe votues mbi moshën 35-vjeçare, ndryshe nga çfarë parashikon rregullorja.

"Bëhet fjalë për lista të parregullta, persona që e kalojnë moshën dhe nuk kanë të drejtë të votojnë që i kemi parë hapur. Mua më janë hequr mbi 1000 anëtarë të FRPD dhe kam pretendime që në shumë degë të ndryshme për shkak të manipulimeve me procesverbalet nuk më rezultojnë votat që kam marrë." shprehet ai.

Pas mbledhjes së të gjitha fakteve dhe incidenteve të ndodhura bëhet me dije se kandidatët do të paraqesin shqetësimet e tyre për një proces që e cilësojnë të parregullt.

Video