Prezantohet partia e Adriatik Lapajt, “Shqipëria Bëhet”, nga 23 shtatori takime në çdo qytet (Deklarata)

18 Shtator 2023, 18:50Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Adriatik Lapaj

Është prezantuar sot partia më e re politike në vend “Shqipëria Bëhet”, e themeluar nga avokati Adriatik Lapaj.

Në një event modest që ka zgjatur pak minuta, partia e Lapajt ka shpalosur edhe tre pikat kryesore të planit të saj, duke nisur me votën e emigrantëve, depolitizimin e administratës dhe miratimin e ligjit për referendumet.

Deklarata për shtyp nga partia “Shqipëria Bëhet”:

Të nderuar përfaqësues të medias,

‘Shqipëria Bëhet’, një ekip me qytetarë active dhe profesionistë të fushave të ndryshme, nis sot rrugëtimin e saj zyrtar, si një lëvizje mbarëqytetare.

Në konsultim me qytetarë dhe ekspertë, rrugëtimi ynë do të shtrihet në Shqipëri dhe Diasporë, duke përfshirë këtu forume në 61 bashkitë e vendit, advokim legjisltativ dhe debat publik, për t’i dhënë peshë mendimit, fjalës dhe të drejtës së qytetarit.

Në kushtet në të cilat vendi ynë ndodhet, lidhur kjo me situatat e bartura politike, të cilat nuk i kanë sjellë Shqipërisë asnjëherë demokracinë e merituar dhe garën e vërtete, ne shohim si të domosdoshme:

a) Nevojën urgjente të angazhohemi për hapjen e një debate kombëtar për vendosjen e demokracisë reale, pluralizmit real dhe shtetit të së drejtës.

b) Inicimin e një bashkimi mbarëkombëtar përtej ndarjeve ideologjike për të imponuar themelet e demokracisë reale.

c)Nevojën për një lëvizje intelektuale dhe të unifikuar mbarëkombëtare për të diskutuar dhe konkluduar për imponimin e një reforme totale kombëtare të fokusuar në:

1. Reformimi i sistemit zgjedhor në Shqipëri duke hapur konkurrencën nëpërmjet hapjes së listave, kufizimit të mandateve qeverisëse dhe përfaqësuese

2. Miratimi i ligjit “Për referendumet” në Republikën e Shqipërisë;

3. Miratimi i votes së emigrantëve duke përcaktuar modalitetet e përfaqësimit të tyre.

4. Depolitizimi i administrates zgjedhore në të gjitha nivelet duke e hequr atë nga politika dhe duke e kaluar në profesione të lira (avokat, noter, profesionistë të licencuar, si dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë si gjyqtarë dhe prokurorë);

Në kuadër të pikave të mësipërme, ‘Shqipëria Bëhet’ do të shtrijë takimet e saj me qytetarë dhe ekspertë, në Shqipëri dhe Diasporë, duke e nisur të shtunën se 23 Shtatorit me banorët e Mirditës.

Duke iu falenderuar përprezencën dhe bashkëpunimin, ju ftojmë të na kontaktoni për cdo informacion të mëtejshëm.

Video