Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka ftuar sot në një takim konsultues krerët e grupeve parlamentare për të diskutuar mbi formimin e organeve të reja të parlamentit.
Takimi zhvillohet në orën 11:00 dhe ka në fokus përzgjedhjen e anëtarëve të delegacioneve, Byrosë së Kuvendit dhe Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren.
Peleshi do t’u prezantojë palëve edhe një draft për ndryshimin e shpejtë të Rregullores së Kuvendit, që do t’i hapë rrugë rikonceptimit të Komisioneve Parlamentare, sipas modelit të propozuar nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste më 11 shtator, ku edhe zbuloi kabinetin e ri qeveritar.
Plani i mazhorancës parashikon që nesër (e martë) Kuvendi të mblidhet paradite për ngritjen e Këshillit të Mandateve dhe pasdite të votojë rregulloren e re dhe përbërjen e komisioneve.
PS ka mbajtur 7 komisione, dhe opozita 4, dhe duke e përjashtuar këtë të fundit nga Komisioni për Integrimin Evropian, një strukturë që demokratët e konsiderojnë strategjike. Megjithatë, opozita nuk ka votat për të bllokuar ndryshimet, të cilat miratohen me 71 vota.
Pas ristrukturimit të Parlamentit, Kuvendi do të zhvillojë një debat dy-ditor të enjten dhe të premten, për programin qeverisës dhe përbërjen e kabinetit “Rama 4”.
KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PS:
Ekonominë, Punësimin dhe Financat
Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes
Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm
Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural
Evropa dhe Punët e Jashtme
Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale
KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PD:
Edukimin, Shkencën dhe sportet
Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Kulturën, Turizmin dhe Diasporën