Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri pasditen e kësaj të diele, më 14 shtator, lidhur me protestën e mbajtur në mbështetje të krerëve të UÇK-së në Hagë të Holandës, të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale.
“Drejtësi pra drejtësi, vetëm drejtësi, asgjë më shumë se sa drejtësi dhe asgjë tjetër përveç drejtësisë, për Kosovën dhe Çlirimtarët e Saj”, shkruan Rama.
Më herët Rama ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një video nga Haga ku shkroi se me zemër është me shqiptarët që po protestojnë atje.
“Liria ka emër! Me zemër e mendje jam edhe unë atje sot, Komandant! Liri për çlirimtarët!”, shkruan ai krahas videos.
Këto reagime të kryeministrit Rama vijnë pasi sot, më 14 shtator, u mbajt protesta madhështore në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë të Holandës
Mijëra shqiptarë u zhvendosën nga ambientet e jashtme të Gjykatës Speciale në një park që gjendet afër selisë së Dhomave të Specializuara dhe kërkuan drejtësi, për ish-krerët e UÇK-së. Protestuesit u shprehën se ish-kryeministri dhe ish-presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët, po mbahen padrejtësisht në Hagë për 5 vite me radhë dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare.