Moderatorja Orjela Nebijaj ka reaguar pas pranimit të mandatit për t'u bërë deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Nebijaj shkruan se ky do të jetë privilegji më i madh i jetës së saj.
"Do të jetë privilegji më i madh i jetës time, të përfaqësoj njerëzit që më besuan dhe votuan për të qenë në Parlamentin e Shqipërisë. Formulari gati për tu dorëzuar nesër në KQZ!" shkruan Nebijaj.
Ajo ka publikuar edhe dokumentet e formularit të plotësuar dhe do të zërë në Kuvend vendin e lënë bosh nga Grida Duma, e cila u largua nga politika për një projekt televiziv.
Në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021, Nebijaj garoi nën siglën e PD-së në Qarkun e Tiranës, ku renditej e 18-ta në listë dhe arrit të merrte 5606 vota preferenciale.
Ajo rezultoi një ndër gratë dhe vajzat me më së shumti vota nga kandidatet e PD-së në listat jo fituese. Orjela Nebijaj ka moderuar disa programe televizive, ku së fundmi ishte moderatorja e emisionit "Përputhen".