Nesër protesta e opozitës, Berisha: Gjenerata Z ka përmbytur diktaturat, të largojmë baronin e drogës

23 Janar 2026, 19:53Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha

Një ditë para protestës së paralajmëruar të opozitës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë në selinë blu. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për shpopullimin e vendit, duke deklaruar se Shqipëria ndodhet sot në një rrezik ekzistencial si komb.

Sipas tij kreu i qeverisë është armiku më i egër që ka pasur ndonjëherë kombi shqiptar, edhe më keq se diktatori Enver Hoxha.

Më tej, Berisha i bëri thirrje gjeneratës Z, duke thënë se kjo gjeneratë ka përmbysur diktatura, kudo ata kanë ekzistuar nëpër botë. Kreu demokrat tha se duhet të largojmë baronin e drogës në pushtet.

“Rama dhe bashkëpunëtorët e tij kanë vjedhur miliarda euro. Kombi shqiptar është në kushtet e ekzistencializmit. Nëse ecim me këtë trend, shqiptarët do konsiderohen një komb i fshirë. Sot kemi më shumë vdekje sesa lindje, sidomos në vitet e fundit. Rama ka larguar shqiptarët nga vendi, ka larguar mbi 700 mijë qytetarë. Të rinjtë sot janë në rrugët e Europës dhe botës, se në Shqipëri nuk e ndërtojnë dot të ardhmen. Në vitet 2007-2014, numri i shqiptarëve vetëm rritej. Ne nuk kishim para më shumë, por ne kishim taksa më të ulëta. Kullat e drogës nuk blihen dot nga qytetarët, sepse janë kulla të trafikut të drogës. Rama ka kthyer diktaturën, pushtetin e ka kthyer në dorën e një njeriu, ai është kryebaroni i drogës në Europë.

Gjenerata Z mund të përmbysë diktaturat. Është kjo gjeneratë që po i dridh themelet Aleksandër Vuçiçit, si vëllait të Ramës. Lufta kundër diktaturës është e vështirë, por duhet të ngrihemi në lartësinë e këtij misioni e të rikthejmë dhe njëherë shpresën, besimin dhe lirinë, të drejtat, të ardhmen e shqiptarëve. Rama nuk mban zgjedhje, por i plaçkit ato, është autori i një farse elektorale. Jemi në parti-shtet, jemi thuajse në monizëm”, tha Berisha.

Duke folur për seancën e djeshme në Kushtetuese për Belinda Ballukun, Berisha e cilësoi atë si  më të turpshmen në historinë e ligjit dhe Kushtetutës. Ai akuzoi qeverinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë dhe për përqendrim të pushteteve në një dorë.

“Sot, në këtë diktaturë, njëlloj si në të parën, të gjitha pushtetet përqendrohen në një dorë. Dhe ju e patë, ju ftoj të mos e harroni kurrë ditën e djeshme, një ditë, e pashembullt në historinë e një shteti, ditë në të cilën kreu i shtetit, kryeministri, kryetari i parlamentit përballeshin me një prokuror që bënte ligjin, që donte ligjin, që donte të zbatonte ligjin. Nuk kisha parë skena më tronditëse. Ditë më të turpshme në historinë e ligjit dhe të Kushtetutës në botë nuk ka. Kur një prokuror, në emër të ligjit, ka vendosur të thërrasë para ligjit, në hetuesi, ta pezullojë zëvendëskryeministren mbi bazën e një mijë fakteve, mbi bazën e vjedhjeve të pafundme, për t’u përgjigjur para ligjit”.

Fjala e Berishës vjen një ditë përpara protestës të Partisë Demokratike, e cila mbahet nesër përpara Kryeministrisë në Tiranë.


Video