Kuvendi miraton me 110 vota pro aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes

22 Janar 2026, 16:11Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pamje nga seanca parlamentare

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar këtë të enjte, me 110 vota pro projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, ku socialistë e demokratë u bashkuan, pavarësisht debateve dhe tensioneve që shoqëruan seancën plenare.

Përfaqësuesit e opozitës deklaruan vazhdimisht se ishin në parim pro Bordit të Paqes, por ishin kundër emrit të kryeministrit Edi Rama në marrëveshje. Për këtë arsye deputeti Gazment Bardhi paraqiti 3 amendime, të cilat u rrëzuan me 78 vota pro.

Sjellim ndërmend se Këshilli i Ministrave e miratoi të mërkurën projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes pas ftesës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më herët këtë muaj planet për krijimin e një Bordi për Paqen për të mbikëqyrur zbatimin e një plani 20-pikësh për Gazën, një iniciativë që synon të çojë drejt paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Por nuk do ndalet vetëm në këtë konflikt.

Bordi i Paqes u themelua zyrtarisht sot në Davos.

Shumë nga vendet perëndimore e kanë refuzuar deri më tani pjesëmarrjen në këtë bord.


Video