Takime me Ramën, Brahon dhe disa deputetë, ministri gjerman në Tiranë: Duam ta shohim Shqipërinë në BE!

23 Janar 2026, 17:37Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Takimet e Gunther Krichbaum

Gunther Krichbaum, Ministër i Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë ka zhvilluar disa takime në Tiranë.

Siç bën me dije Ambasada Gjermane përmes një njoftimi për mediat, Krichbaum u takua me kryeministrin Edi Rama, ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdenin, zv.ministren e Jashtme Megi Finon, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Ballën dhe Jorida Tabakun, kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhin si dhe me kreun e Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Brahon.

Në fokus të bisedave të tij ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Krichbaum tha se Gjermania dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE.

“Për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së. Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE. Edhe për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja biseda të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë.

Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Krichbaum pas përfundimit të këtyre takimeve.

Ai shtoi se për të arritur këtë qëllim lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave, por jo vetëm.

Gjithashtu duhet përfshirja dhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese.

 


Video