Partia Socialiste ka ndërmarrë një nismë ligjore për ndryshimin e ligjit për Autoritetit e Dosjeve, pas kërkesës letrës që ku autoritet i nisi pak ditë më parë Kuvendit dhe ku në të rezultonte si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ish-presidenti Ilir Meta.
Në një komunikim për mediat, deputetja socialiste Klotilda Bushka, u shpreh se nisma ligjore konsiston në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht, nëse kanë ose jo certifikate të mëparshme pastërtie, nën dritën e fakteve dhe të vërtetës, si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.
'Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Çertifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm.Transparencë e plotë për këto raste duhet të kryhet dhe pengesat apo boshllëqet në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar.'- tha Bushka.
Zbardhja e së vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjithë për ato që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore, tha Bushka, është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës por padyshim në funksion të së tashmes për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike.
'Pasi siç shkruante shkrimtari i mirënjohur Italian, Primo Levi, i mbijetuar i kampit famëkeq të Auschëitz: “Ndodhi, prandaj mund të ndodhë përsëri: ky është thelbi i asaj që duhet të themi. Mund të ndodhë, dhe mund të ndodhë kudo.” Pikërisht për t’u sigururuar që historia të mos përsëritet dhe arritjen e paqes sociale duhet që bashkëpunëtorët e sistemit të mëparshëm të mos të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimarrjes i çfarëdo niveli qoftë ai.'- tha Bushka.