Mesazhi përmes postës elektronike që sinjalizoi Autoritetin e Dosjeve se Ilir Meta ishte bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit është dërguar nga Uashingtoni.
Burime të sigurta të Voxnews.al nga brenda Autoritetit të Dosjeve thonë se përmbajtja e mesazhit të dërguar me e-mail është në gjuhën shqipe dhe mban datën 24 korrik 2022, ditë kur Ilir Meta mbylli Presidencën pesëvjeçare.
Për shkak se 24 korrik ishte e diel dhe ditë pushimi për Autoritetin, mesazhi dhe përmbajtja e tij është parë ditën e hënë.
Mesazhi ka qenë me të dhëna për numrin e dosjes, volumin e të dhëna të tjera orientuese për Autoritetin. Duke u bazuar te këto të dhëna, punonjësit e Autoritetit kanë verifikuar dhe kanë parë dosjen e saktë e të plotë me të paktën 140 faqe.
Në mesazh, thonë burimet, të përmendet emri i Filip Talos, personi që mendohet se ka rënë viktimë e spiunimit të Ilir Metës dhe që sipas dokumenteve të siguruara ekskluzivisht nga Voxnews.al ka qenë shok klase me Ilir Metën në Fakultetin e Ekonomisë.
Pasi sinjalizon Autoritetin për dosjen e Metës, autori, apo autorët e mesazhit i lënë afat që ta publikojnë. Në të kundërt, thuhet në mesazh, do ta publikojnë vetë duke vënë autoritetin në një pozicion të vështirë përballë publikut.
Mesazhi mbyllet me shënimin V.F.L.P., që janë akronimet e parrullës komuniste “Vdekje fashizmit, liri e popullit”.
Pyetja që ngrihet është se pse ky mesazh i dërguar nga Uashingtoni u nis për në Tiranë në ditën që Ilir Meta la Presidencën? A është ky mesazh hakmarrje e Uashingtonit, apo hakmarrja e Filip Talos?
..sepse nga përtej Atlantikut shumë e prisnin një mesazh, por me një tjetër përmbajtje; atë të shpalljes ‘non grata’ të Ilir Metës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.