Me t’u çliruar nga kufizimet e deklaratave që i vendoste kostumi i Presidentit, Ilir Meta u hodh në sulm kundër Qeverisë, por çuditërisht më shumë se emrin e Edi Ramës në këto dy ditë ka përmendur emrin e Lulzim Bashës.
Bashën e akuzoi për marrëveshje të fshehtë me Edi Ramën që para 17 majit 2017-të, marrëveshje që sipas tij ka dëmtuar demokracinë, pluralizmin dhe ka instaluar në vend një regjim kleptokratik që ka vënë në rrezik interesat kombëtare.
“Harta territoriale u miratua me konsensus të plotë mes Ramës e Bashës. I kërkova Bashës që të përfshihej duke i dhënë garancinë se nuk do të kalonte asgjë pa konsensus. Basha kurrë nuk solli një propozim. Rama i tha që ma lër mua kështu hartën dhe unë të mbështes atje ku do të jenë kandidatët e LSI-së, si në Vorë, Lezhë, apo Pogradec”, deklaroi ai.
Ish-kreun e PD e quajti deri edhe ‘mashtrues ordiner’, që futi LSI-në në kurthi me vendimin për të djegur mandatet në 2019-n.
“Ilir Meta ka qenë kategorikisht kundër bastit të çmendur për t’i besuar një mashtruesi ordiner që të gënjen pa kuptim duke djegur mandatet, duke lënë parlamentin, duke bojkotuar pushtetin vendor. Djegia e mandateve ishte planifikuar nga mafia që drejton Shqipërinë, nga oligarkët se duhej braktisur dhe pushteti lokal”, tha Meta në Konventën e LSI, ku emri i partisë u ndryshua në Partia e Lirisë.
Megjithëse prej thuajse 48 orësh është nën shënjestrën e Ilir Metës më shumë se sa Edi Rama, Lulzim Basha ka heshtur. Ish-kreu i PD-së nuk u është përgjigjur ende, as personalisht dhe as përmes atyre pak njerëzve besnikë që i kanë mbetur në PD, njëri prej të cilëve Gazment Bardhi.
Si shpjegohen sulmet e Metës ndaj tij dhe heshtja e Bashës? Një mënyrë e shpjegimit të tyre është që Ilir Meta mund të ketë nuhatur, ose të jetë vënë në dijeni se shpejt do të shpallet ‘non grata’ nga SHBA dhe ashtu si Sali Berisha po përgatitet që për këtë të mos fajësojë vetëm Ramën, apo lobimin e supozuar të tij në Uashington e Londër.
Ilir Meta po përgatit terrenin që në rastin hipotetik të shpalljes non grata nga SHBA të mbajë të njëjtën linjë me atë të Sali Berishës; pra të fajësojë si Edi Ramën, ashtu edhe Lulzim Bashën.
Heshtja e Bashës nga ana tjetër mund të shpjegohet me faktin që ish-kreu i PD-së mund të jetë në dijeni të këtij vendimi (gjithnjë hipotetik) të SHBA dhe pret momentin kur ai të njoftohet, ndoshta me një cicërime të Sekretarit Anthony Blinken, ashtu siç bëri në maj të 2021 kur shpalli të padëshirueshëm për përfshirje në korrupsion masiv, minim të shtetit ligjor dhe ndërhyrje në drejtësi Sali Berishën.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.